Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa i shtrëngon dorën Zëvendësit të ri në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, imzot Edgar Peña Parra Papa i shtrëngon dorën Zëvendësit të ri në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, imzot Edgar Peña Parra  (ANSA)

Papa i paraqet Sekretarisë së Shtetit Zëvendësin e ri, imzot Peña Parra

Në ditën e tij të parë si Zëvendës i Punëve të Përgjithshme, kryeipeshkvi venezuelan Edgar Peña Parra, 58 vjeç, u paraqit në Sekretarinë e Shtetit nga vetë Papa, i shoqëruar nga kardinali Parolin.

R.SH. - Vatikan

Sot, imzot Edgar Peña Parra filloi detyrën e re të Zëvendësit për Punët e Përgjithshme në Sekretarinë e Shtetit. Emëruar nga Papa Françesku më 15 gushtin e këtij viti, zëvendëson kardinalin Angelo Becciu, i cili është bërë tashmë prefekt i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve.

Takimi me Papën Françesku

         I shoqëruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, sot paradite, në Bibliotekën e Sekretarisë së Shtetit, Papa Françesku ua paraqiti prelatin tre Seksioneve të Dikasterit vatikanas, përfaqësuar nga eprorët e tyre. Ati i Shenjtë dhe Zëvendësi i ri përshëndetën personalisht funksionarët e mbledhur me këtë rast.

Në Shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë

         Imzot Edgar Peña Parra u lind në Marakaibo të Venezuelës, më 6 mars 1960. Pasi u shugurua meshtar, më 23 gusht 1985, shërbeu në dioqezën e Marakaibos. Ka mbaruar universitetin në fushën e të drejtës kanonike. Hyri në Shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë më 1 prill 1993 e mbuloi detyra të ndryshme në nunciaturat e Kenias, Jugosllavisë, Afrikës së Jugut, Hondurasit, Meksikës dhe pranë Zyrës së OKB-së në Gjenevë.

Nunc në Pakistan e në Mozambik

         Pasi u emërua kryeipeshkëv titullar i Teleptes, më 8 janar 2011, u shugurua ipeshkëv më 5 shkurt 2011, e shkoi si nunc apostolik në Pakistan e më vonë, në Mozambik. Njeh mirë, përveç spanjishtes, edhe italishten, anglishten, frëngjishten, portugalishten dhe serbo-kroatishten.

Roli i Zëvendësit

         Për ata që nuk e dinë, Zëvendësi i Punëve të Përgjithshme në Vatikan udhëheq Seksionin e parë të Sekretarisë së Shtetit, së cilës, sipas Kushtetutës apostolike “Pastor Bonus”, i takojnë punët, që kanë të bëjnë me shërbimin e përditshëm të Papës, me favorizimin e marrëdhënieve ndërmjet dikasterve të ndryshme të Kuries Romake, pa e cënuar autonominë, por duke koordinuar veprimtarinë e tyre.

         Gjithashtu, këtij Seksioni i duhet të “hartojë e të dërgojë kushtetutat apostolike, letrat dekretore, letrat apostolike, epistullat e dokumente të tjera”, që ia beson Papa; të njoftojë për të gjitha aktet e emërimeve, që kërkojnë miratimin e Papës, në Kurien Romake e në organizmat e tjera, të cilat varen nga Selia e Shenjtë; të kujdeset për publikimin e akteve dhe të dokumenteve publike të Vatikanit në buletinin “Acta Apostolicae Sedis”; të publikojë e të përhapë komunikime zyrtare, që kanë të bëjnë me aktet e Papës e me veprimtarinë e Selisë së Shenjtë. Gjithashtu, ndër kompetencat e tjera, bën pjesë edhe organizimi i udhëtimeve apostolike të Papës.

15 tetor 2018, 17:25