Kërko

Papa Françesku, në audiencën me familjen rregulltare të themeluar prej Antonio Rosminit, Institutin e Dashurisë. Papa Françesku, në audiencën me familjen rregulltare të themeluar prej Antonio Rosminit, Institutin e Dashurisë. 

Papa, rosminianëve: shenjtëria është rruga për reformën e Kishës

Ҫdo i krishterë është i thirrur për shenjtëri, rrugë për t’u bërë me frymën e dashurisë, të heshtjes së brendshme dhe në heroizimin e heshtjes së jashtme. Është shembulli i të Lumit Antonio Rosmini, që Papa Françesku theksoi në audiencën me familjen rregulltare të themeluar prej tij, Institutit të Dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Audiencë, në shenjën e “përkushtimit ndaj Kishës” dhe të “respektit pa kufi për Selinë e Shenjtë”, siç këshillonte i Lumi Antonio Rosmini. Këtë deshën të dëshmojnë sot, në Sallën e Papëve në Vatikan, anëtarët e Institutit të Dashurisë, Kongregatës kishtare themeluar më 1800-ën nga meshtari e filozofi trentin. E Papa Françesku u flet mbi shenjtërinë e mbi udhën për t’u bërë shenjt së bashku.

Shenjtëria është udha e reformës së Kishës

         Kongregata rosminiane është mbledhur deri më 23 tetor në Kapitullin e përgjithshëm me temën ungjillore: “Të jini të përsosur… të jini të mëshirshëm”. “Është fjala për të vënë në plan të parë lajmin e mirë se çdo i krishterë është i thirrur për shenjtëri – nënvizon Papa, duke përmendur pikërisht themeluesin, Antonio Rosmini – është fjala për të ndërmarrë së bashku këtë udhë, në dashuri e bamirësi”:

         Shenjtëria dhe ushtrimi i virtyteve nuk u rezervohen vetëm pak vetëve e, as ndonjë çasti të caktuar të jetës. Të gjithë mund t’i jetojmë ato në besnikërinë e përditshme ndaj thirrjes së krishterë; në veçanti, të shuguruarit, në përkushtimin e tyre besnik ndaj vokacionit fetar. Për këtë, i Lumi Rosmini lutej: “O Zot, na dërgo heronjtë e tu”. Ishte e qartë në të gjithçka kam nënvizuar në Motu Proprio-n “Majorem hac dilectionem” mbi heroizmin e jetës, pra mbi “dhurimin e jetës për të tjerët deri në vdekje” (n.5). Shenjtëria është rruga e reformës së vërtetë të Kishës, që, siç e kupton mirë Rosmini, e shndërron botën në masën me të cilën reformon vetveten.

Të jeni njerëz me duar të shtrira drejt të tjerëve

         Dashuri shpirtërore, intelektuale dhe materiale: këtë i këshillonte i Lumi Rosmini familjes së tij rregulltare. Edhe Papa Françesku niset prej këtej për ta nxitur Kongregatën që edhe sot, të mendojë për vepra bamirëse, që shkojnë në udhën e treguar nga Shpirti Shenjt, i cili na thotë ku, kur e si t’i duam të tjerët. Veprimi juaj edukativ, u shpjegon Papa rosminianëve, të mos jetë “arsimim i thjeshtë”, por “dashuri intelektuale”, që niset nga “Jezu Krishti, Fjala e bërë njeri”. Përsoseni gjithnjë praninë tuaj apostolike:

         Prania juaj apostolike është rrezatuar në Indi, në Tanzani e në Kenia, përveçse në zonën e SHBA-ve dhe në Evropë: ju inkurajoj të jeni njerëz me duar të shtrira drejt të vuajturve, për t’u çuar atyre ndihmën e fesë e të dashurisë. Mendoj, në veçanti, për sivëllezërit tuaj e për murgeshat rosminiane, që veprojnë në Venezuelë, thirrur të dëshmojnë afërsinë e tyre shpirtërore e materiale me një popullsi kaq të sprovuar.

         Papa i nxit rosminianët, së fundi, të mos shkurajohen e të vazhdojnë me gëzim e shpresë misionin, që Zoti u ka besuar.

01 tetor 2018, 14:43