Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Takimi i Papës Françesku me meshtarët e dioqezës së Créteil Takimi i Papës Françesku me meshtarët e dioqezës së Créteil  (Vatican Media)

Papa, priftërinjve francezë: dëshmoni forcën e Ringjalljes

Papa Françesku priti meshtarët nga Créteil i Francës dhe u tha atyre t’u shërbejnë të tjerëve, sipas shembullit të Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti në Vatikan rreth 100 meshtarë nga dioqeza e Créteil, pranë Parisit, të cilët janë në shtegtim në Romë. Në fjalën që u drejtoi, Ati i Shenjtë e falenderoi Zotin për thirrjet e tyre që të jenë “shërbëtorë besnikë të mistereve të Krishtit”. Bergoglio vërejti se Kisha “luftohet nga valë të kundërta e të dhunshme, sidomos për shkak të mëkatëve të rënda të disa prej anëtarëve të saj”. Por, tha ai, është e rëndësishme të kujtojmë “besnikërinë e përvuajtur” të shumicës së atyre, që janë të thirrur t’i shërbejnë Kishës si meshtarë.

Meshtarët të dëshmojnë Ringjalljen e Krishtit

         Papa theksoi se kush i përgjigjet kësaj thirrjeje, nuk është ndonjë “superhero”, por u shërben të tjerëve sipas modelit të Jezusit, i cili u mundua, vdiq dhe u ngjall sërish për ne. “Misioni ynë – nënvizoi – është të dëshmojmë forcën e Ringjalljes në plagët e kësaj bote”. Në punën e tyre për riorganizimin e dioqezës, priftërinjtë e Créteil duhet të kenë kujdes për plagët e Kishës, jo për të vajtuar sipër tyre, por për t’ia paraqitur Krishtit. Vetëm Ai mund t’i shërojë, duke i lejuar të gjithë të rifillojnë në Të dhe me Të. E vetëm përmes Tij, mund të gjejnë “mjetet konkrete për ta propozuar jetën e Krishtit për të gjithë”, vijoi Papa.

Aty ku dëshmohet Krishti, ka thirrje të reja

         Duke folur për nevojën e thirrjeve, Françesku nënvizoi se aty ku ka jetë, zell e dëshirë për t’ua çuar Krishtin të tjerëve, aty do të lulëzojnë thirrje të sinqerta. Ati i Shenjtë i inkurajoi meshtarët të japin shembull me jetë, të luten e të dëgjojnë Fjalën e Zotit, duke kremtuar Sakramentet e duke u shërbyer të tjerëve. I nxiti të krijojnë bashkësi, në mënyrë që vlerat e jetës meshtarake të njihen si shërbim i vërtetë misionar. “Lëreni vetën të shndërroheni e të rinovoheni nga Shpirti Shenjt”, u tha Papa në përfundim të fjalës së tij, “për ta kuptuar ç’dëshiron Zoti t’i ofroni botës përmes jetës dhe shërbimit tuaj”.

01 tetor 2018, 19:10