Kërko

 Kapitulli i Përgjithshëm i Kongregatës së Mundimeve të Krishtit Kapitulli i Përgjithshëm i Kongregatës së Mundimeve të Krishtit  

Papa Pasionistëve: me besnikëri krijuese, të jeni pranë botës që vuan

Papa priti sot paradite në audiencë, në Vatikan, Pasionistët, të cilët vijojnë, në Romë, nga 6 deri më 27 tetor, Kapitullin e përgjithshëm të Kongregatës, themeluar më 1720 nga Shën Pali i Kryqit. Françesku i inkurajoi të jenë shërbyes të pajtimit, sepse Kisha ka nevojë për shërbyes, “që dëgjojnë pa dënuar e pranojnë me mëshirë”.

R: SH - Vatikan

“Me besnikëri krijuese përballojini sfidat e reja të kohës sonë, duke ia çuar Krishtin botës, që vuan”. Kjo, nxitja e Papës drejtuar rreth 100 Pasionistëve, pritur sot paradite në Vatikan.  Kapitulli i përgjithshëm i Kongregatës së Mundimeve të Jezu Krishtit zgjodhi edhe eprorin e përgjithshëm, Atë Joachim Rego del Myanmar. “Të përtërijmë misionin tonë: Mirënjohje, Profeci, Shpresë” është tema e Kapitullit të përgjithshëm, që shpreh - kujtoi Papa - shpirtin me të cilin  dëshironi ta nxisni Kongregatën për risimin e misionit, duke i kushtuar kujdes të veçantë  metodologjisë baritore  në punën me breznitë e reja.

Të pranishëm në 61 vende të botës, Pasionistët janë meshtarë, vëllezër,  rregulltare e laikë, që pothuajse prej tre shekujsh bëjnë kushtin të punojnë për ta shpallur dashurinë e Zotit ndaj botës, dëftuar përmes Mundimeve të Krishtit.

Shërbëtorë të pajtimit

Duke u nisur pikërisht nga veçoria kryesore e karizmës së tyre, Papa i inkurajoi të jenë “në shërbim të shërimit shpirtëror e të pajtimit”, për të cilin bota, plot me plagë të vjetra e të reja, ka aq shumë nevojë, duke vënë në plan të parë afërsinë me të varfërit, në vendet më të braktisura. Afërsi kjo, që shprehet tradicionalisht  përmes misioneve popullore,  drejtimit shpirtëror  dhe sakramentit të rrëfimit.

Kisha ka nevojë për shërbëtorë, që flasin me dhembshuri, dëgjojnë pa dënuar e mirëpresin me mëshirë. Kisha sot e ndjen fort thirrjen për të dalë jashtë vetvetes e për të shkuar si në periferitë gjeografike, ashtu edhe në ato ekzitenciale. Angazhimi juaj për të gjetur kufij të rinj misioni kërkon jo vetëm të shkoni në toka të reja, për të çuar Ungjillin, por edhe të përballoni sfidat e reja të kohës sonë, si emigracioni, shekullarizmi e bota dixhitale.

Konkretisht - shpjegoi Papa - kjo do të thotë të jesh i pranishëm në ato situata, ku njerëzit e perceptojnë mungesën e Zotit e të përpiqesh t’u qëndrosh gjithnjë pranë atyre që vuajnë, në çdo mënyrë a formë.

Besnikëri krijuese ndaj karizmës, për të qenë pranë popullit të vuajtur

“Në këtë epokë ndryshimesh, që është ndryshim epoke”, Françesku i nxiti Pasionistët  të  jenë të vëmendshëm ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt, duke lexuar shenjat e kohëve, sepse “situatat e reja, kërkojnë edhe përgjigje të reja”: kërkohet  besnikëri krijuese ndaj karizmës, për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve e për t’ia çuar Krishtin një bote, që vuan. Ashtu si bëri vetë Shën Pali i Kryqit: krijues në mënyrën si iu përgjigj nevojave të botës së kohës së tij, theksoi - siç thotë Rregulla - se “dashuria e Zotit është  e jashtëzakonshme e nuk tregohet aq me fjalë, sa me vepra  e me shembuj”. E karizmën e Pasionistëve e dëshmuan me shumë fryt edhe Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme si dhe shenjtorë e të lum të tjerë, që u përkasin Pasionistëve.

Forca e thjeshtësia e mesazhit tuaj, që është dashuria e Krishtit mbi Kryq, mund t’i flasin akoma shoqërisë së sotme, e mësuar, siç është, të mos u besojë më  fjalëve të thata e të bindet vetëm nga faktet. Për shumë të rinj, që janë në kërkim të Zotit, Mundimet e Krishtit mund të jenë burim shprese e guximi e mund t’u tregojnë   se Zoti e do secilin personalisht e deri në fund të fundit.

Në përfundim Papa i uroi Pasionistët që dëshmia dhe apostullimi i tyre  të vijojnë ta pasurojnë Kishën e të mund të jenë gjithnjë pranë Krishtit të Kryqëzuar dhe popullit të tij të vuajtur.

Nga Mundimet buron dashuria, që pajton

Në qendër të jetës dhe të misionit të Pasionistëve janë Mundimet e Krishtit, që Shën Pali i Kryqit i përshkruante si “vepra më e madhe e më mahnitëse e Zotit”. Pasionistët bëjnë edhe një kusht të katërt: atë të përhapjes së devocionit për Mundimet e Krishtit sepse - kujtoi Papa - “pikërisht nga Kryqi buron dashuria pajtimtare e Zotit”.

 

22 tetor 2018, 14:35