Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë 

Papa në Shën Martë: Engjëjt e Rojes, porta jonë drejt transhendencës

Në ditën e festës së Engjëjve të Rojës, Papa ia kushton meshën 25-vjetorit të jetës rregulltare të një murgeshë të pranishme në kremtim dhe, duke komentuar Leximet, larton rolin e mbrojtësve që na jep Zoti, të engjëjve - shokë, kujdestarë, busull në rrugën e jetës dhe porta të hapura drejt Hyjit.

R.SH. - Vatikan

“Ja, po e dërgoj engjëllin që të prijë e të të ruajë gjatë udhëtimit e të të shtjerë në vendin që kam përgatitur”. Këto fjalë, marrë nga kapitulli 23 i Librit të Daljes, janë në qendër të reflektimit të Papës, gjatë predikimit në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, sot, në ditën kur Kisha feston Engjëjt e Rojës. Janë pikërisht ata - thotë Papa - "ndihma e veçantë" që "Zoti i premton popullit të vet dhe neve, që ecim në rrugën e jetës".

Engjëlli, busull që na ndihmon në udhë

Është pikërisht kjo jetë, një udhëtim në të cilin, vëren Papa, duhet të ndihmohemi nga "shokët", "mbrojtësit", nga një "busull njerëzore, ose një busull që i ngjan njeriut dhe që na ndihmon të shohim ku duhet të shkojmë". Ka tre rreziqe të mundshme në rrugën e jetës sonë që Françesku i përmend:

Ekziston rreziku të mos ecim. Sa njerëz sistemohen e nuk ecin, e gjithë jeta ndalet, pa lëvizur, pa bërë asgjë ... Është njëri nga rreziqet. Si ai njeriu i Ungjillit, i cili kishte frikë të përdorte talentet. I kishte varrosur, e thoshte: "Unë jam në paqe, jam i qetë. Nuk mund të gaboj. Kështu, nuk rrezikoj". Janë të shumtë, njerëzit, që nuk dinë të ecin, ose kanë frikë të rrezikojnë dhe ndalojnë. Por ne e dimë se rregulli është se kush ndalet në jetë, korruptohet. Ashtu si uji: kur uji është i amullt, vijnë mushkonjat, bëjnë vezë dhe gjithçka korruptohet, qelbet. Çdo gjë. Engjëlli na ndihmon, na shtyn të ecim.

Rreziku për të gabuar udhë, ose për të mbetur në labirint

Por ka edhe dy rreziqe të tjera në rrugën e jetës, vazhdon Papa: "rreziku për të gabuar udhë", e cila vetëm "në fillim është e lehtë për t'u korrigjuar"; dhe rreziku i largimit nga udha për të humbur në ndonjë shesh, duke shkuar "nga njëra anë tek tjetra si në një labirint", që "të mban në kurth", pa i dalë fundi kurrë. Ja, "Engjëlli i Rojes", thekson Ati i Shenjtë, "është aty që të na ndihmojë të mos gabojmë udhën”, por ka nevojë për lutjen tonë, kërkesën tonë për ndihmë:

Zoti thotë: "Kini respekt për praninë e tij". Engjëlli është me autoritet, e ka autoritetin për të na thënë [ç’duhet bërë]. Duhet dëgjuar. "Dëgjojeni zërin e tij dhe mos u rebeloni kundër tij". Duhet dëgjuar zëri i brendshëm, që vjen gjithnjë nga Shpirti Shenjt, por është Engjëlli që e sjell para nesh. Por unë dua t'ju pyes diçka: a flisni me Engjëllin tuaj? A e dini emrin e Engjëllit tuaj? A e dëgjoni? A e lejoni t’ju marrë për dore në udhë, ose t’ju nxisë të lëvizni?

Engjëlli na tregon rrugën për të arritur tek Ati

Prania dhe roli i engjëjve në jetën tonë ka edhe më shumë rëndësi, sepse, siç thekson Papa, jo vetëm që na ndihmojnë të ecim si duhet, por na tregojnë edhe "ku duhet të arrijmë”. Është shkruar në Ungjillin e sotëm sipas Mateut: “Mos i përbuzni fëmijët”, thotë Zoti, sepse “engjëjt e tyre e shohin gjithmonë fytyrën e Atit tim që është në Qiell”. Në "misterin e kujdestarisë së Engjëllit", pra, ekziston edhe "kundrimi i Zotit Atë", që Hyji duhet të na japë hirin për ta kuptuar. Prandaj, Papa përfundon:

Engjëlli ynë, jo vetëm është me ne, por e sheh Zotin Atë. Është në lidhje me Të. Është urë e përditshme, që nga koha kur ngrihemi nga gjumi e deri kur shkojmë në shtrat, natën, ai na shoqëron dhe lidhet me Atin e me ne. Engjëlli është porta e përditshme drejt transhendencës, drejt takimit me Atin Qiellor: pra, Engjëlli më ndihmon të ec në rrugë, sepse ai e sheh Atin dhe e di se cila është rruga. Të mos i harrojmë këta shokë udhe.

02 tetor 2018, 16:17