Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: rruga e shërbimit, kundër sëmundjes së vendeve të para

Të ngulmojmë në udhën e shërbimit e të dashurisë, kundër sëmundjes së vendeve të para. Kështu u shpreh Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kundër njërës nga sëmundjet më të rënda, nga të cilat vuan bota e sotme. Sëmundje, që nuk e kursen as Kishën.

R. SH. - Vatikan

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga rreziku, madje nga sëmundja e mirëfilltë, që prek sot shumë mjedise njerëzore: ajo e kërkimit të vendeve të para, në dëm të të tjerëve, e ndërtimit dhe e pushtimit të froneve të pushtetit, duke i shtyrë të tjerët me të gjitha mjetet e mundshme, ndërsa Zoti zgjodhi fronin torturues e të dhimbshëm të Kryqit, udhën e vrazhdë, por të mrekullueshme të shërbimit ndaj vëllezërve, posaçërisht më të fundmëve. “Kjo - ngulmoi Papa - është udha kryesore, që, të çon në qiell”.

Udha e shërbimit është ilaçi më i mirë kundër sëmundjes së kërkimit të vendeve të para; “melhem”, për ata që kacavaren, në përpjekjen për të zënë vend sa më lart. Sëmundje, kjo, që u ngjitet shumë njerëzve, pa i kursyer as të krishterët, Popullin e Zotit e as hjerarkinë kishtare. Prandaj ne, dishepujve të Krishtit, ky Ungjill duhet të na tingëllojë si thirrje për pendesë, për t’u dëshmuar me guxim e bujari në një Kishë, që përkulet tek këmbët e të fundmëve, duke u shërbyer me dashuri e thjeshtësi.

Ta refuzojmë mendësinë e botës

Shtytja për këtë qortim vjen nga faqja e sotme e Ungjillit të Markut, në të cilën Jezusi - pohoi Papa - kërkon, me durim të madh, t’i qortojë dishepujt e tij, duke i kthyer nga mendësia e botës, në atë të Zotit. E kërkesës së Jakut e të Gjonit,  të cilët i thonë Mësuesit: “Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde”, Jezusi, ndonëse e njihte zellin e tyre e entuziazmin për kauzën e Mbretërisë, i përgjigjet duke i vënë përballë realitetit të fakteve. Ai - vijoi Françesku - u flet për “kelkun që duhet pirë”, e pagëzimin, që duhet marrë”. Kelk gjaku e pagëzim mundimesh në kryq. E  pastaj përfundon: “Këtë mund t’ua jap! Por të vë ndokënd të rrijë në të djathtën ose në të majtën time - këtë nuk kam pushtet ta jap ‑ kjo u përket atyre, për të cilët është përgatitur”. Ishte njëlloj si t’u thoshte: “Tani ndiqmëni e mësoni udhën e dashurisë ‘në humbje’! Për çmimin, pastaj, do të mendojë Ati qiellor. Sepse kush ecën në udhën e dashurisë, është gjithnjë i humbur, ngaqë të duash do të thotë të lësh mënjanë egoizmin, vetëvlerësimin, kacavarjen. Për t’u shërbyer të tjerëve. Deri tek froni…

Froni i parehatshëm i kryqit

Edhe dishepujt e tjerë, që zemërohen me Jakun e Gjonin për shkak të kërkesës së tyre, tregojnë se kishin të njëjtën mendësi, e kjo - sqaroi Papa -  e nxit Krishtin t’u japë një mësim tjetër, që vlen për të krishterët e të gjitha kohëve: “Kush dëshiron të bëhet i madh ndërmjet jush, do të jetë shërbëtori juaj, e kush do të jetë i pari ndër ju, do të jetë skllav i të gjithëve!”.

Mesazhi i Mjeshtrit është i qartë: ndërsa të mëdhenjtë e kësaj Toke ngrenë “frone” për pushtetin e tyre, Zoti zgjedh një fron tejet të mundimshëm, kryqin, për të mbretëruar prej tij, duke dhuruar jetën: i Biri i njeriut - na kujton Jezusi - nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë jetën për  të gjithë.

Lutja për misionarët

Në përfundim të lutjes mariane, Papa përshëndeti shtegtarët e shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, posaçërisht polakët e dioqezës së Plock dhe të shkollës Gjon Pali II të Kartuzy; kujtoi lumnimin  e meshtarit jezuit Tiburcio Arnaiz Muňoz, duke i ftuar besimtarët të ecin në gjurmët  tij e të jenë punëtorë të mëshirës dhe misionarë guximtarë. Më pas, duke e vënë theksin mbi Ditën e sotme Misionare Botërore, me temë “Së bashku me të rinjtë, t’ua çojmë Ungjillin të gjithëve”, i ftoi besimtarët e mbledhur në Shesh të thonë së bashku një FalemiMari për të gjithë ata, që e shkrijnë jetën duke kumtuar Krishtin në toka të largëta.

Mendoj - shtoi Papa - për shumë të krishterë, burra e gra, laikë, rregulltarë,  meshtarë, ipeshkvij, që e shkrinë e vijojnë ta shkrijnë jetën larg atdheut, duke kumtuar Ungjillin. Pranë tyre është dashuria jonë; me ta, mirënjohja; për ta, lutja!

Një mendim i posaçëm i Françeskut ishte edhe ai për grupin e Caritas Internationalis, udhëhequr nga kryetari, kardinali Louis Antonio Tagle, me disa ipeshkvij e njerëz të ardhur nga vise të ndryshme të botës, të impenjuar në fushatën ndërkombëtare Share the Journey në mbështetje të emigrantëve.  

21 tetor 2018, 15:26