Papa Françesku në takimin me skalabrinianët Papa Françesku në takimin me skalabrinianët 

Papa me skalabrinianët: dimri demografik, mbyllja e portave për emigrantët, mirëqënia vetëvrasëse

Në takimin e sotëm me skalabrinianët, të cilët kujdesen veçanërisht për emigrantët, Papa Françesku nënvizon se Evropa nuk është themeluar nga vetja, por nga valët e emigracionit.

R.SH. - Vatikan

“Është e vërtetë se sot ka një fushatë për t’ua mbyllur dyert të huajve e ka edhe shumë situata trafiku me të huajt, të cilët shfrytëzohen. Unë vetë jam bir emigrantësh”. Kështu u thotë sot Papa Françesku skalabrinianëve, siç njihen misionarët e Shën Karlit, që Ati i Shenjtë i pret në Vatikan, ndërsa janë mbledhur për kapitullin e tyre të përgjithshëm.

Evropa lindi nga valët e emigracionit

U dorëzon fjalimin e përgatitur e flet lirisht, duke kujtuar gjendjen e pas Luftës II Botërore, kur vetë Ati i Shenjtë ishte një djalosh 10-12 vjeçar. “Aty ku punonte im atë – tregon Papa – erdhën polakët për të punuar, të gjithë emigrantë. E sa mirë u pritën! Argjentina e ka këtë përvojë mikpritjeje, sepse kishte punë e kishte nevojë për njerëz. Argjentina – kjo është përvoja ime – është një koktej me valë emigracioni, sepse emigrantët ndërtojnë vendin. Kështu ka qenë edhe për Evropën: Evropa nuk lindi vetëm, lindi nga valët e emigracionit”.

Mirëqënie vetëvrasëse

Për Papën Françesku, sot, “mirëqënia është vetëvrasëse, sepse të çon drejt mbylljes së dyerve, që të tjerët të mos të shqetësojnë: mund të hyjnë vetëm ata njerëz, që i shërbejnë mirëqënies sime. E nga ana tjetër, për shkak të mirëqënies, nuk bëhen më fëmijë: e ne – vëren Bergoglio - kemi dramën e dimrit demografik dhe atë të mbylljes së dyerve”.

Skalabrinianët mësojnë si duhen pritur emigrantët

“Kjo – vijon Papa bisedën me skalabrinianët – duhet të na ndihmojë ta kuptojmë pak si duhet të jetë pritja e të huajit. Po, është i huaj, nuk është i yni, por duhet pritur mirë e ju përgatiteni për ta bërë këtë me zemër të hapur, prandaj ju falenderoj”. Ati i Shenjtë përmend njohjen me skalabrinianët kur ishte në Argjentinë dhe i falenderon rregulltarët për punën e tyre. “Është më lehtë të presësh një të huaj se sa të pritesh e ju – u thotë skalabrianinëve – duhet t’i bëni të dyja këto gjëra, duhet ta mësoni, ta ndihmoni dhe ta mirëprisni të huajin”. “Si pritet një i huaj”: janë katër fjalë, për t’ua kujtuar të gjitha kombeve të pasura, që kanë gjithçka, por nuk dinë të presin. E Papa citon së fundi, fjalën e Zotit në Bibël: “Kujtohu se edhe ti ke qenë i huaj”.

29 tetor 2018, 16:24