Kërko

 Papa Françesku i dërgon mesazh urimi agjencisë  Sir Papa Françesku i dërgon mesazh urimi agjencisë Sir 

Papa me rastin e 30-vjetorit të Sir: jini të lirë e larg modeleve reduktuese

Në mesazhin me rastin e 30-vjetorit të veprimtarisë së Agjencisë së informimit Sir, Papa Françesku e nxit të ndihmojë për t’i kuptuar faktet në gjithë kompleksitetin dhe domethënien e tyre të thellë.

R. SH. - Vatikan

“Tridhjetë vjet, sigurisht, janë një cak i bukur, por nuk janë e as duhen konsideruar si pikarritje”.  Më 25 tetor të vitit 1988 agjencia gazetareske Sir botonte buletinin e saj të parë. Me rastin e këtij 30-vjetori, Papa Françesku i dërgoi mesazhin e tij të urimit, me një inkurajim të posaçëm për drejtorin aktual, Vincenzo Corrado.

“Vijoni ta kryeni detyrën tuaj me të njëjtën risi, që e menduan themeluesit   e, më pas, edhe i dhanë formë këtij projekti të pashembullt në llojin e vet - shkruan Papa Françesku - duke vijuar me porosinë: “Ishit nxitës  të bashkimit në informimin, si kishtar, ashtu edhe shoqëroro-kulturor. Vijoni të jeni!".

Ati i Shenjtë kujton edhe Ditën LIII Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që do të kremtohet më 2019, kushtuar temës “Jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit (Ef 4,25). Nga  bashkësitë virtuale, në bashkësitë e gjalla” dhe vë theksin mbi angazhimin e Sir në promovimin e bashkësisë informative, themeluar mbi vërtetësinë e reciprocitetin.

Gjithnjë në kërkim të së vërtetës

Françesku i nxit, më pas, gazetarët e agjencisë, të vijojnë ta ushtrojnë profesionin “gjithnjë në kërkim të së vërtetës”. E duke kujtuar mesazhin e Ditës së fundit Botërore të Komunikimeve Shoqërore, shpjegon se për ta gjetur të vërtetën, duhet vlerësuar çka ndihmon bashkimin e i shërben së mirës. Sir nxitet të vijojë udhën e risimit, pa harruar se duhet t’i ketë parasysh të gjitha territoret: italiane, evropiane, mesdhetare, lindore e ndërkombëtare. Territori nuk është gjithnjë kufi gjeografik: është diçka më shumë. Tregon  jetën e njerëzve, që e banojnë - lexohet akoma në mesazhin papnor. E në vijim, thirrja e Papës: “Në gjurmët e të përjavshmeve dioqezane, bëjuni zë i atyre, që nuk kanë zë! Vijoni t’i ndizni fanaret tuaja informative mbi të gjitha periferitë! Bëjuni mbartës të historive, që tregoni! Apasionojuni gjithnjë më shumë në kërkimin e së vërtetës! Jini rojtarë të lajmeve!”.

Së fundi Françesku kërkon informacion cilësor, që di të ndërtojë ura mirëkuptimi e dialogu. “Jini të lirë e larg modeleve reduktive. Ndihmojini njerëzit t’i kuptojnë faktet në kompleksitetin e domethënien e tyre më të thellë” – përfundon Papa.  

29 tetor 2018, 13:13