Kërko

2018.10.14 Canonizzazione Paolo VI 2018.10.14 Canonizzazione Paolo VI 

Papa Françesku: Shenjtorët na mësojnë të jetojmë në Krishtin, pa asnjë lëkundje

Kisha sot ka shtatë Shenjtorë të rinj. Ndërmjet tyre, Pali VI dhe imzot Romero. Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Pjetër, Papa kujtoi se Shenjtorët qenë të aftë të rrezikojnë vetveten, për të ndjekur Jezusin, “pa ftohtësi e pa bërë kurrfarë llogarie”

R. SH. - Vatikan

Shtatë portretet, vendosur në fasadën e Bazilikës së Shën Pjetrit, i flasin botës së sotme  për udhën e ndritur të shenjtërisë, të fituar duke i thënë me plot gojën “po” Zotit, me rrezikun e braktisjes së gjithçkaje, për ta ndjekur, me një zemër të lirë, që e do Zotin, me një zemër të gëzuar “për të cilën - shpjegoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së shenjtërimit të 7 shenjtorëve të rinj - kemi aq shumë nevojë”.

Shenjtorët e rinj

Kardinali Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kujtoi përpara Papës, etapat kryesore të jetës së 7 Shenjtorëve të rinj, duke nisur nga Pali VI, i lumnuar pikërisht nga Françesku, ashtu si imzot Romero, përherë pranë të varfërve e të shtypurve, gjë që e çoi drejt dënimit nga ana e skuadroneve të vdekjes. Pastaj kardinali kujtoi me radhë edhe figurat e tjera të ndritura. Don Francesco Spinellin, themelues i Institutit të Motrave adhuruese të të Shenjtnueshmit Sakrament. Vincenzo Romano-n, mikun i madh i të varfërve dhe edukator i të rinjve. Katerinën Kasper, themeluese e Shtëpisë së Shërbëtoreve të varfra të Jezu Krishtit”. Nazaria Ignazia-n e Shën Terezës së Jezusit, themeluese e Kongregatës së Motrave misionare dhe Nunzio Sulprizio-n, model për të rinjtë, siç e pati quajtur Papa Leoni XIII, që dekretoi virtytet e tij heroike. Pas shqiptimit të formulës së shenjtërimit nga ana e Françeskut, duartrokitjet e besimtarëve e vulosën shenjtërinë e  tyre!

Propozimi për jetë  të mprehtë

Homelia e Papës u frymëzua kryesisht nga Letra II drejtuar Hebrenjve. Fjala e gjallë, e frytshme, e mprehtë - kujtoi Papa - u flet zemrave tona e na fton të mos  e arsyetojmë jetën e pasosur sipas logjikës së botës - si trashëgimi, që na takon - por si dhuratë të vetvetes, si përkushtim ndaj Zotit, si dëshirë për të qenë me Të, duke iu përgjigjur me gjithë zemër ftesës: “Ndiqmë!”.

Eja! Mos rri ngrirë, sepse nuk mjafton të mos bësh keq, për të qenë i Jezusit.

Ndiqmë! Mos shko pas Jezusit vetëm kur ta kënda. Kërkoje ditë për ditë; mos u kënaq vetëm duke respektuar normat e rregullat, duke dhënë pakëz lëmoshë, duke thënë ndonjë lutje: në Të gjen Zotin, që të do gjithnjë, gjen kuptimin e jetës sate, forcën për t’u dhuruar!

Aty ku në qendër janë paratë, nuk ka vend për Zotin

Jezusi të thotë edhe: “Shit gjithçka ke e jepjua të varfërve”. Zoti nuk bën teori mbi varfërinë e pasurinë, por shkon drejtëpërdrejt në jetë. Të kërkon të lësh gjithçka që të rëndon zemrën, të zbrazesh nga  të mirat, për t’i bërë vend Atij, e vetmja e mirë. Nuk mund ta ndjekësh me të vërtetë Jezusin, kur je plot me gjëra të kota, të tepërta. Në zemrën e pushtuar nga pasuria, nuk ka vend për Zotin, që bëhet kështu, një gjë, ndërmjet tjerave. Prej këndej, pasuria është e rrezikshme e - na e kujton Jezusi - ta bën të vështirë edhe rrugën e shëlbimit. Jo pse Zoti është i rreptë, jo! Problemi është yni: dëshira jonë për të pasur shumë, për të dëshiruar shumë e më shumë, ia merr frymën zemrës e na bën të paaftë për të dashur. Prej këndej Shën Pali e quan paranë: “Rrënja e gjithë të këqijave”. Atje ku paratë janë në qendër të vëmendjes, nuk ka vend për Zotin e as për njeriun!

Zemra është magnet

“Jezusi është radikal - vërejti Papa. - Ai jep gjithçka - e kërkon gjithçka: jep dashuri të plotë, e kërkon zemër të plotë. Nuk mund të japësh, si shkëmbim, thërrime, ose një përqindje dashurie. O gjithçka, o asgjë!

Zemra jonë është si magnet: thithet nga dashuria, por mund të ngjitet vetëm nga njëra anë: e duhet të zgjedhë: o do të dojë Zotin, o  pasurinë e botës; o do të jetojë për të dashur, o për vete. Ta pyesim veten me kë jemi. Jezusi e pyet secilin prej nesh e të gjithë ne, si Kishë për udhë: jemi Kishë, që di vetëm të predikojë normat e mira, apo Kishë-nuse, që e do Zotin e vet me gjithë vetveten?

T’i lësh të gjitha, për Zotin

Papa i nxiti, më pas, besimtarët, të kërkojnë hirin që “t’i lënë pasuritë, dëshirat për  përgjegjësi e pushtet, strukturat, që nuk i përshtaten kohës për kumtimin e Ungjillit, pengesat që frenojnë misionin, leqet, që ngatërrohen nëpër këmbët e botës”. Pa një hop përpara në dashuri, jeta jonë e Kisha jonë sëmuren nga “vetëpëlqimi egocentrik”. Kërkohet gëzimi në ndonjë kënaqësi kalimtare, në thashetheme të kota, në përpjekjen për të fshehur, me narcizizëm, trishtimin, që të kujton se  mbete i parealizuar në jetë.

Pali VI, dëshmitar i dialogut

Më pas Françesku kujtoi Palin VI, si dëshmitar i bukurisë dhe i gëzimit, që buron nga ndjekja e Krishtit, edhe pse ndërmjet lodhjes e moskuptimeve, në gjurmët e Apostullit, emrin e të cilit kishte zgjedhur. Si Shën Pali, shkriu jetën për Ungjillin e Krishtit, duke kapërcyer kufij të rinj e duke u bërë dëshmitar në kumtim e në dialog, profet i një Kishe që shikon të largëtit e kujdeset për të varfërit. Sot na nxit akoma, njëherësh me Koncilin, timonier i të cilit ishte, ta jetojmë thirrjen tonë të përbashkët, thirrjen universale për shenjtëri.

Imzot Romero, një jetë për Ungjillin

Papa, më pas, nënvizoi shenjtërinë e të gjithë dëshmitarëve të fesë, të aftë për ta jetuar Fjalën e Zotit pa ngurrim, pa llogari, të gatshëm për të rrezikuar e për të lënë gjithçka, si imzot Romero, që dhuroi edhe jetën për Ungjillin.

Përshëndetjet drejtuar autoriteteve të pranishme

Përfundoi me një përshëndetje të përzemërt drejtuar gjithë të pranishëmve, lutja e Engjëllit të Tënzot e Françeskut, pas kremtimit të Meshës për Shenjtërimin e Palit VI, Oscar Romeros dhe pesë të lumturve të tjerë. Posaçërisht Papa përshëndeti  delegacionet zyrtare të shumë vendeve, ardhur për të nderuar shenjtorët e rinj, që dhanë ndihmesë të shquar në progresin shpirtëror dhe shoqëror të Kombeve të tyre. Përshëndetje të posaçme i drejtoi Mbretëreshës Sofia, Presidentit të Republikës Italiane, Presidentit të Kilit, të El Salvador e të Panamasë. E posaçme edhe përshëndetja Hirësisë së Tij Rowan Williams dhe delegacionit  të Kryeipeshkvit të Canterbury. Papa shprehu mirënjohjen e thellë për këtë prani.

Më pas, Ati i Shenjtë iu drejtua shtegtarëve e edhe të gjithë atyre, që e ndoqën kremtimin përmes radios e televizionit.

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa u kërkoi të gjithëve  t’i drejtonin së bashku me të, një lutje Virgjërës Mari, dishepulle e parë, e përkryer  e Zotit, që - theksoi - të na ndihmojë për të ndjekur shembullin e Shenjtorëve të rinj.

 

14 tetor 2018, 14:52