Papa Françesku pret presidentin polak, Andrzej Duda Papa Françesku pret presidentin polak, Andrzej Duda  

Papa Françesku pret Presidentin polak Duda

Papa priti, sot paradite, në Vatikan, Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, 40 vjet pas zgjedhjes së Shën Gjon Palit II në fronin e Shën Pjetrit. Ndërmjet temave të diskutuara, integrimi evropian, konflikti në Ukrainë, situata në Lindjen e Mesme, emigracioni dhe mbrojtja e Krijimit

R. SH. - Vatikan

Sot paradite - sipas një komunikate të Sallës së Shtypit të Vatikanit - Papa Françesku pati një takim të përzemërt me presidentin polak, Andrzej Duda. Gjatë takimit, mbajtur me rastin e 40-vjetorit të zgjedhjes së Gjon Palit II  Papë, u ripohua “rëndësia e vlerave të krishtera në historinë e vendit, posaçërisht, në  formimin e identitetit të tij kulturor e fetar”.

Familja, mikpritja dhe ndryshimet klimaterike

Në qendër të dialogut, edhe tema si mbështetja e familjes dhe mikpritja e saj, por edhe kontributi i Polonisë në projektin e integrimit evropian. U prekën edhe tema me karakter ndërkombëtar, si “konflikti në Ukrainë, situata në Lindjen e Mesme, emigracioni, si dhe mbrojtja e gjithësisë, në prag të Konferencës së Kombeve të Bashkuara, kushtuar ndryshimeve klimaterike, që do të mbahet në Katowice, dhjetorin e ardhshëm”.

Më pas presidenti Duda u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

15 tetor 2018, 14:23