Papa Françesku në lutje para Zojës së Czestochowa-s Papa Françesku në lutje para Zojës së Czestochowa-s  

Papa Françesku: një libër dhe një program mbi “FalemiMërinë”.

U paraqit sot, në Filmotekën e Vatikanit, programi “Ave Maria”, që do të transmetohet në TV2000, duke nisur nga 16 tetori, çdo të martë, në orën 21.00.

R. SH. - Vatikan

“Papa Françesku e përshkruan më se një herë Marinë si grua normale. E është pikërisht ky normalitet, forca e programit”. E theksoi këtë imzot Dario Edoardo Viganò, këshilltar i Dikasterit për komunikimin e Selisë së Shenjtë, që paraqiti sot, në Filmotekën e Vatikanit, programin “Ave Maria”, i cili do të transmetohet në TV2000, duke nisur nga 16 tetori, çdo të martë, në orën 21.00. Pas suksesit të librit  kushtuar “Atynës” - botuar, si këtë herë, nga Rizzoli dhe Shtypshkronja e Vatikanit - dhe programit të vitit të kaluar, don Marco Pozza dialogon përsëri me Papën Françesku për lutjen më të dashur, që thuhet çdo ditë në botë nga miliona e miliona njerëz.

“Zoja - kujton Papa në premierën e sotme të programit - është vashë normale, vashë e ditëve tona. Nuk mund të themi se ishte vajzë qyteti, sepse nuk ishte nga qyteti, por nga fshati. Vajzë, si të gjitha vajzat, e edukuar normalisht, në pritje të martesës, të krijimit të familjes”.

“Çdo grua e kësaj bote - kujton Françesku - mund të thotë: ‘Po, unë  mund t’i përngjaj Marisë’, sepse edhe ajo është si unë, normale”.  Edhe martesa e saj virgjërore, e kulluar, ishte normale: me punët e shtëpisë, blerjet në treg, edukimin e fëmijëve, kujdesin për shokun e jetës…”.

Programi, i lindur nga bashkëpunimi ndërmjet Dikasterit për Komunikimin e Selisë së Shenjtë dhe TV2000, siç ndodhi vitin e kaluar me “Atynën”, përbëhet nga njëmbëdhjetë pjesë, gjatë të cilave don Marku takohet me shekullarë të botës së kulturës dhe të spektaklit: Sonia Bergamasco, Michelle Hunziker, Cristiana Capotondi, Carla Signoris, Cristina Parodi, Cristina Comencini, Letizia Moratti, Luisa Muraro, Noa e Federica Angeli. Në secilën pjesë rrëfehet një nga aspektet e amësisë, përmes historive të nënave, bijve, bashkëshortëve, rregulltareve e artisteve. Në çdo pjesë  dëgjohet edhe zëri i Papës.

Intervista e plotë e don Markut me Papën Françesku do të transmetohet  të diel, më 23 dhjetor.

“Një dialog i gruas me gratë, i nënave me nënat, i nuseve me nuset”: kështu e quajti drejtori i ri i Tv2000, Vincenzo Morgante, programin e emitentes katolike, që njihet si tv me identitet të fortë e tipare të përcaktuara, por që jeton me kohën e vet e dëshiron ta tregojë.

Libri i Papës Françesku “Të FalemiMari” - nga i cili Sir boton sot disa fragmente - nesër do të jetë në të gjitha libraritë. Ndërsa nga ai kushtuar “Atynës” - pohon Manuela Galbiati, e Rizzolit - vetëm në Itali janë shitur 35 mijë kopje. E shumë po e lexojnë edhe në 15 vende të tjera.  “Ky i riu do t’ia kalojë të parit” - shton, duke kujtuar se që nesër “Ave Maria”, nënshkruar nga Papa Françesku, “do të jetë një nga librat protagonistë në Panairin e Frankfurtit”.

08 tetor 2018, 16:38