Kërko

 Papa shtrëngon duart me shtegtarët Papa shtrëngon duart me shtegtarët 

Papa: fetë të ecin në udhët e paqes, për të mos iu kundërvënë vetvetes

Thirrje e Papës drejtuar feve botërore, për t’i qëndruar besnike rolit të tyre si ndërtuese të paqes. Mesazhi i Françeskut u lexua me rastin e hapjes, dje, në Bolonjë, të takimit vjetor “Urat e paqes - fe e kultura në dialog”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, në gjurmët e takimit historik të Asizit, 32 vjet më parë.

R. SH. - Vatikan

“Fetë, nëse nuk ndjekin udhën e paqes, i kundërvihen vetvetes”. Këtë kujton   Papa, në thirrjen drejtuar asamblesë së përurimit të “Urave e paqes”. Të pranishëm, përfaqësues të shumtë fetarë, ndërmjet të cilëve, imami i madh i Al- Azhar, Ahmad al-Tayyeb; Ignatius Aphrem II, Patrik siro-ortodoks i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes e personalitete të tjera.

Lutje për dhuratën e paqes

Takimet e organizuara nga Bashkësia e Shën Egjidit - shkruan Françesku - edhe kur skenaret e historisë  ndryshojnë shpesh e dramatikisht -  mbeten si fill i kuq  që, në rrjedhë vitesh, dëshmon sa e nevojshme është të lutemi së bashku, pa u lodhur kurrë, për dhuratën e paqes.

Të shërohen përsëri plagët e historisë

“Duhet t’i ruajmë  kujtimet e bashkimit, që i shërojnë plagët e historisë” -  kujton Papa në mesazh - sepse është urgjente të punojmë për bashkëjetesën paqësore, sot e në të ardhmen. Roli i feve është “të ndërtojnë ura” në emër të Zotit, e shqetësimi i Françeskut, që forcat e ndryshme të mos i kundërvihen njëra-tjetrës e “zemra e njeriut, i cili beson me të vërtetë, të nxitet për të hapur gjithnjë e kudo, rrugë bashkimi.

Asizi 2016

Në mesazh kujtohet takimi, ku mori pjesë edhe Françesku, organizuar nga Shën Egjidi më 2016, në Asizi, me rastin e 30-vjetorit të  ditës, kur Gjon Pali II u bëri thirrje feve të mblidhen në lutje për paqen. Takim, gjatë të cilit  u ftuan besimtarët  të ndërtojnë një botë me paqe, të jenë artizanë të paqes, t’u përgjigjen shpresave të breznive të reja për të jetuar në një botë me paqe. Një pikë kjo, tek e cila Françesku rikthehet  edhe në këtë rast. Duke kujtuar se në Vatikan mbahet Sinodi kushtuar të rinjve, Papa kërkon t’i nxisë të rriten në shkollën e paqes e të bëhen ndërtues dhe edukatorë të saj. “Bota, në të cilën banojnë - shkruan - e dhunshme me të ligshtin, shpesh duket armike e së ardhmes së tyre; shumë nuk e kanë parë kurrë paqen e nuk e dinë akoma ç’do të thotë jetë dinjitoze”.

Të ndërtohen ura, për të ndërtuar paqen

Besimtarët duhet ta “dëgjojnë mirë britmën për paqe, që lartohet nga zemrat e tyre”, e “të ndërtojnë së bashku atë ardhmëri, që u përket”. Prej këndej, nevoja  për “të krijuar ura ndërmjet breznive”. E rruga, që duhet ndjekur e që e tregon Papa, është kjo, në të cilën po ecet me këto takime, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit: “kjo e takimit të burrave e grave të  feve dhe breznive të ndryshme, për të treguar se “me ndihmën e Zotit,  së bashku mund të ndërtohet paqja”.

15 tetor 2018, 13:19