Versioni Beta

Cerca

Vatican News
I poveri in Africa I poveri in Africa 

Papa, FAO-s: mjaft me fjalë, duhen vepra për të ushqyer të uriturit

Mesazh i Papës Françesku për Ditën Botërore të Ushqimit 2018, kremtuar në më se 130 vende, kushtuar temës “Veprat tona janë e ardhmja. Një botë me Uri Zero në vitin 2030 është e mundur”.

R.SH. - Vatikan

“Thirrje e fuqishme për t’u zgjuar nga gjumi, që shpesh na paralizon e na pengon”. Ky është synimi i mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Ushqimit 2018, kremtuar sot në Romë, në selinë e FAO-s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë), por edhe në më se 130 vende të botës. Tema e sivjetme: “Veprat tona janë e ardhmja. Një botë me Uri Zero në vitin 2030 është e mundur”. Jo “një Ditë më shumë”, i shkruan Ati i Shenjtë drejtorit të përgjithshëm të FAO-s, Josè Graziano da Silva, gjatë së cilës “mjaftohemi duke mbledhur informacione apo kënaqim kuriozitetin”. Duhet të ndërgjegjësohemi, edhe pse me dhimbje, për  dramën e urisë, për “nevojat” e “ankthet”, si edhe për “shpresat e miliona njerëzve, të cilëve u mungon buka e përditshme”. Duhet që, me guxim “ta shndërrojmë në dhimbje personale gjithçka ndodh në botë”, duke “i dyfishuar përpjekjet që askujt të mos i mungojë ushqimi i nevojshëm, në sasi e në cilësi”.

Shtohen të uriturit e bie solidariteti

         E, ndërsa rritet numri i njerëzve, që s’kanë asgjë, ose gati asgjë për të ngrënë, denoncon Papa Françesku, “solidariteti ndërkombëtar duket sikur ftohet”. “Të varfërit presin prej nesh një ndihmë të frytshme, që t’i shpëtojë nga mjerimi,  e jo vetëm propozime e konferenca, të cilat, pasi i kanë studiuar në detaje shkaqet e varfërisë, kanë si rezultat vetëm kremtimin e ngjarjeve solemne, impenjime që nuk konkretizohen kurrë, ose botime luksi, që s’bëjnë tjetër, veçse pasurojnë katalogët e bibliotekave”.

Të kalohet nga fjalët në vepra

         “Në këtë shekull XXI, që ka bërë hapa të mëdha përpara në fushën e teknikës, të shkencës, të komunikimeve e të infrastrukturës, – kujton Papa – duhet të skuqemi e të turpërohemi që nuk kemi arritur të njëjtat përparime në humanitet e solidaritet, për të plotësuar, kështu, nevojat parësore të më të ligshtëve”. “Jemi të thirrur të gjithë të shkojmë më larg. Mund e duhet të bëjmë më shumë”. “Prandaj, duhet kaluar në vepra, që të zhduket krejtësisht murtaja e urisë”. Nevojiten “vendime politike e plane operative”, si edhe bindja etike se duhet punuar për të mirën e gjithanshme të njerëzve.

Të financohet zhvillimi e të heshtin armët

         “Nuk janë deklaratat solemne ato, që e çrrënjosin përfundimisht këtë fatkeqësi. Lufta kundër urisë – vijon Ati i Shenjtë – kërkon detyrimisht financim bujar, zhdukjen e barrierave tregtare e, sidomos, shtimin e aftësisë ripërtëritëse përballë ndryshimeve të klimës, krizave ekonomike dhe konflikteve me armë”. Së fundi, edhe një thirrje tjetër e Papës Françesku: “kemi nevojë t’i shtojmë fondet për promovimin e paqes e të zhvillimit të popujve. Kemi nevojë të heshtin armët dhe tregtimi i tyre i dëmshëm, për të dëgjuar zërin e atyre, që vajtojnë të dëshpëruar, sepse ndihen të mënjanuar nga jeta e nga përparimi shoqëror”.

16 tetor 2018, 12:27