Varri i Shën Pjetrit Varri i Shën Pjetrit  ((null))

Papa dhe dy varreza të jashtëzakonshme, e Engjëjve dhe e Papëve

Papa, më 2 nëntor, me rastin e Përkujtimit të të vdekurve, do të vizitojë varrezën romake të Laurentinos, ku janë varrosur ferishte, që nuk e panë kurrë dritën e diellit. Vizita - njofton Selia e Shenjtë në kalendarin e kremtimeve liturgjike të Papës gjatë muajve nëntor-janar, botuar tashmë – do të nisë rreth orës 16.00.

R. SH. - Vatikan

Vizita në varreza është gjithnjë tejet tronditëse. Si kur viziton të vdekurit e dashur, që flenë nën rrasa, në pritje të ngjalljes, ashtu edhe kur takohesh me njerëz, që i njeh vetëm përmes librash. E, sidomos, kur duke mos mundur të shkosh këto ditë në varrezat e vendit tënd, ku flenë të parët, shkel në të huajat, duke kujtuar me lutje të vdekur të njohur e fare të panjohur.  E duke lexuar epitafe, që përmbledhin gjithë misterin e jetës, të vdekjes e të amshimit. Ja një prej tyre:

“Emrat tanë mbi këtë rrasë,

Trupat, nën këtë rrasë,

Shpirtrat në krahët e Mëshirës së amshuar!”

E në këto ditë, nga mijëra varreza në botë lartohet drejt qiellit një kor zërash, në lutjen përbashkët: “Epjua, o Zot pushimin e pasosur, e i ndritët drita e pambaruar”.

Papa sivjet do të vizitojë një varrezë të jashtzakonshme, brenda asaj të zakonshme të Laurentinos. Quhet “Kopshti i engjëjve”, hapësirë e përuruar gjashtë vjet më parë, kushtuar foshnjeve të palindura. Zona, rreth 600 metra katrore, ndodhet përballë “Fushës së fëmijëve” e ruhet, simbolikisht, nga dy shtatore, dy Engjëj! Engjëj, që ruajnë engjëjt!

Një varrezë tjetër e jashtëzakonshme: Kripta e Vatikanit

E pasi të vizitojë “Engjëjt e palindur”, të shtunë, më 3 nëntor, Papa do të kremtojë Meshën për shpirt të kardinajve dhe ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit, në Bazilikën e Vatikanit, pikërisht mbi një varrezë tjetër të jashtëzakonshme, të pashoqe në botë: mbi Kriptën e Vatikanit. Kripta shtrihet poshtë navatës qendrore të Bazilikës, nga Altari i madh, i quajtur Altari Papnor, ku do të kremtojë Papa, deri te gjysma e navatës. Formon një Kishë të mirëfilltë nëntokësore, që zë hapësirën ndërmjet Bazilikës aktuale e asaj të lashtë kostandiniane. E nën të mund të vizitohen varre të tjera, edhe më të lashta.

Varreza të trondit, me kamaret, korridoret, kapelat, ku pushojnë në paqe papët, që nga Papa i parë, Shën Pjetri. Mbi Varrin e Princit të Apostujve lartohet kupola mikelanxholeske. Rreth tij, varret e disa papëve, ndërmjet të cilëve, i Bonifacit VIII, Piut XII, Palit VI e, deri pak kohë më parë, edhe Gjonit XXIII e Gjon Palit II, reliket e të cilëve tani ruhen në Bazilikën e Shën Pjetrit. E këtu janë varrosur edhe mbretër e mbretëresha, ndërmjet të cilëve, mbretëresha e famshme Kristina e Suedisë, një nga gratë më të shquara të kohës së vet. E edhe njerëz të tjerë të mirënjohur, që shprehën dëshirën të varrosen në Kriptën e Vatikanit, pranë Varrit të Shën Pjetrit.

Sarkofagët prej mermeri e bronzi të papëve të varrosur në Kriptë, janë vepra të vërteta arti të këtij lloji; e vepra të shquara arti, edhe afresket që stolisin korridoret, në atë pyll varresh, i cili të kujton sa vdekjen, aq edhe pavdekësinë

Varri i Shën Pjetrit

Me miliona njerëz nga të gjitha viset, nga të gjitha kohët, kanë shkelur në këtë kriptë. Në këtë vend shenjt, shtegtari nuk e ndjen veten të huaj: një ndjenjë e thellë vëllazërore i bashkon njerëzit, që vijnë të gjunjëzohen e të luten te varri i Shën Pjetrit Apostull, mbi të cilin do të kremtojë Papa. Sepse ishte ai, që ia hapi njerëzimit Portat e Amshimit, të cilat ia besoi vetë Krishti. Ndodhet në qendër të Bazilikës! Vepër e shkëlqyer, punuar nga duar gjeniale, Varri është i zbukuruar me vepra të tjera  të rralla arti dhe i ndriçuar nga 95 llamba bronzi të praruar. Pas portës së vogël që dallohet në fund të varrit, janë ruajtur mbetjet e bazilikës së lashtë kostandiniane: nikia me një mozaik të shekullit IX, që paraqet Jezu Krishtin.

Këtu rrajnë shtegtarët, gjunjëzohen, luten e prekin me nderim të thellë varrin e Princit të Apostujve. Pranë këtij varri janë kurorëzuar sa e sa papë e mbretër.  Mbi “ Varrin e Papës së parë” ngrihet altari papnor. Baldakini i tij prej bronzi, mbahet nga kolona vigane spirale, që kanë formën e Tabernakullit të thjeshtë, i cili ndodhej dikur mbi varrin e Shën Pjetrit.

Shtegtari, që ka fatin ta vizitojë këtë varr e të lutet pranë tij, do të gjejë aty ngushëllim e shpresë, edhe në këtë Ditë, kur derdhen shumë lotë, simbol pikëllimi, këputen edhe shumë lule, simbol jete e ndizen shumë qirinj, simbol Drite!

 

25 tetor 2018, 17:23