Kërko

Papa Pali VI Papa Pali VI 

Pali VI, meshtar para së gjithash. Dëshmia e postulatorit

Postulatori i Ҫështjes së kanonizimit, atë Antonio Marrazzo, tregon, jashtë klisheve, për figurën e Papës Pali VI, shenjt i ardhshëm me një humanitet të njëjtë me inteligjencën e tij të njohur.

R.SH. - Vatikan

Veshja nuk e bënte Papë, Palin VI. Në kuptimin se veladonin e bardhë, mantelin dhe petkat e tjera liturgjike, që tregonin për statusin e tij, nuk i llogariste aspak pa të vetmen, që u jepte vlerë të gjithave e që duhej mbajtur pikërisht mbi të gjitha veshjet e tjera: stola. “Edhe në udhëtime, ose kur priste krerët e shteteve, dëshironte të paraqitej së pari, si meshtar”. Mbi këtë aspekt – që duket qartë edhe në sixhaden zyrtare të kanonizimit të Papës Montini – flet postulatori i Ҫështjes, atë Antonio Marrazzo.

Njeriu, më tepër se roli i tij

         Atë Marrazzo e pati njohur e frekuentuar për vite me radhë Palin VI. E përshkruan një figurë krejt larg nga stereotipet, që e shihnin Atin e Shenjtë si solemn e të ftohtë, shumë të kulturuar, por larg nga njerëzit. Stola dëshmon të kundërtën. “Atij nuk i interesonte imazhi, roli”, pohon postulatori, sepse në gjithë jetën e vet “e pa dhe e pranoi njeriun, ashtu siç e shikon Zoti: të pasigurtë, nevojtar, të kufizuar”. E shihte edhe tek vetja këtë ligështi, siç e dëshmojnë edhe “shkrimet e tij”.

Mbrojtës i jetës së palindur akoma

         Njeri i thjeshtë, pa dyshim, por i pasur me ngrohtësi njerëzore, pasojë e “besimit tek njeriu”, të cilin e ndiente thellë. Njeri me mendje të hapur, pa rezerva para atij njerëzimi, që po ndryshonte me shpejtësi, drejt përqafimit me të cilin e shtyu Kishën, përmes Koncilit II të Vatikanit. Ishte edhe njeri e Papë plot dashuri për jetën, të lindurën e të palindurën, siç dëshmojnë dy mrekullitë e njohura për lumnimin e për shenjtërimin. “Pali VI – thotë atë Marrazzo – duhet të propozohet si pajtor i jetës së palindur”, sepse, shpjegon ai, dy shenjat e shërimit, që u realizuan me ndërhyrjen e tij, janë “vazhdim” i magjisterit. Për mrekulli, u shërua një vogëlushe në barkun e nënës, në muajin e pestë të shtatzanisë (mrekullia e shenjtërimit) dhe një djalë, edhe ai në barkun e nënës, me probleme aq të mëdha, saqë diagnoza fliste për vdekjen e fëmijës (mrekullia e lumnimit).

Papë i afërt

         Sot, Pali VI u shpall shenjt. Jo i vetëm, sepse po në këtë ditë, i bëjnë shoqëri në nderimet e altarit edhe një martir si imzot Romero e disa shenjtorë e shenjtore. “Vendimi i Papës Françesku nuk është i rastësishëm – shpjegon atë Marrazzo – por i bazuar mbi pyetjen: deri në ç’pikë, shenjtëria është e lidhur me rolin, që njeriu ka pasur në jetë?”. Në rastin e Papës Pali VI, përfundon postulatori, shenjtëria vjen nga jeta e pasur me humanitet, që “transmetonte çfarë jetonte në shpirt”.

14 tetor 2018, 13:08