Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin 

Kard. Parolin: Papa i gatshëm të shkojë në Korenë e Veriut

Për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, një udhëtim i Papës në Korenë e Veriut ka nevojë për përgatitje të veçantë. Dëshira e presidentit koreanoverior është vetëm hapi i parë.

R.SH. - Vatikan

“Papa shprehu gatishmërinë për të shkuar në Pyongyang”: deklarata është e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i cili mori pjesë në paraqitjen e librit “Lindja e një enciklike. Humanae Vitae, në dritën e Arkivave të Vatikanit”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit. Dje, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në audiencë me Papën, i dha atij verbalisht një mesazh të presidentit të Koresë së Jugut, Kim Jong-un, që shprehte dëshirën për ta pritur Françeskun në vendin, i cili akoma ndodhet nën komunizëm. I pyetur nga gazetarët nëse mekanizmi i udhëtimeve papnore është vënë në lëvizje për ta çuar Atin e Shenjtë në Pyongyang, kardinali Parolin u përgjigj:

         Jo, jo, jo. Tani, duhet të presim pak që çështja të formalizohet më shumë. Ky është vetëm hapi i parë, i cili shkon në drejtimin e thënë tashmë: pra, presidenti ia çon verbalisht, i shfaq verbalisht Papës këtë interes.

A ka vënë ndonjë kusht Selia e Shenjtë, para se të shkojë vetë Papa?

         Kjo bën pjesë në punën e mëvonshme. Në çastin, që fillohet të mendohet seriozisht për mundësinë e këtij udhëtimi, është e qartë se duhet menduar edhe nëse duhen kërkuar disa kushte për realizimin e tij.

         Gjithsesi, burime koreane thonë se Papa e ka shprehur vullnetin për të shkuar…

         Po, unë do të thosha… gatishmërinë për të shkuar. Por, është e qartë – e ky është mendimi im – se një udhëtim i këtij lloji ka nevojë për përgatitje serioze, për impenjim serioz.

         E ç’kontribut mund të japë një udhëtim i tillë?

         Besoj se kontributi themelor do të ishte mbështetja. Edhe vizita e presidentit të Koresë së Jugut i shërbeu këtij synimi – natyrisht, nga ana e Koresë së Jugut – pra, synimit për të mbështetur procesin e paqtimit dhe të çarmatimit bërthamor të gadishullit korean.

19 tetor 2018, 11:09