Kërko

Pasojat e tërmetit dhe të tsunamit në Indonezi Pasojat e tërmetit dhe të tsunamit në Indonezi 

Indonezi: Papa lutet për viktimat e tërmetit

Viktimat e identifikuara janë më se 800, por disa zona të ishullut Silawesi është vështirë të arrihen. Tërmeti goditi të premten mbrëma dhe arriti 7,5 ballë të shkallës Richter.

R.SH. - Vatikan

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u lut për popullsitë indoneziane të ishullit Silawesi, goditur të premten nga tërmeti 7,5 ballësh e nga tsunami, që pasoi. “Lutem për të vdekurit, fatkeqësisht, të shumënumërt”, nënvizoi Papa, “për të plagosurit e për ata, që kanë humbur shtëpinë dhe punën. Zoti i ngushëlloftë dhe i mbështettë përpjekjet e atyre, që po impenjohen të çojnë ndihmë” aty ku ka nevojë. Sot, u kremtua funerali i parë i viktimave, të cilat u varrosën në një varr të përbashkët.

Bilanci, i destinuar të rritet

         Sipas të dhënave lokale janë identifikuar më se 840 kufoma. Bilanci është i përkohshëm, pasi të dhënat i referohen vetëm kryeqytetit të provincës, Palu, rreth 80 km larg epiqendrës së tërmetit. Në disa zona, si në bregdetin verior dhe në qytetin Donggala, edhe më afër epiqendrës, ndihmat nuk mund të arrijnë. Gjendja e të shpërngulurve, rreth 48 mijë vetë, është tejet e vështirë. Mungon energjia elektrike, linjat telefonike, strehimi dhe ushqimet. Tsunami shkaktoi valë prej 6 metrash, që mbuluan me ujë rreth 800 fshatra bregdetare. Karitasi vendas dhe ai ndërkombëtar po bëjnë ç’është e mundur për t’i ardhur në ndihmë popullsisë, por deri tani, dihet pak për gjendjen dhe për mënyrën e ndërhyrjes.

01 tetor 2018, 12:31