Kërko

Takimi i Papës Françesku me të rinjtë e Viviers Takimi i Papës Françesku me të rinjtë e Viviers 

Françesku të rinjve të Viviers: zemra e hapur e të varfërve e kupton Ungjillin

Papa Françesku u takua dje me të rinjtë e dioqezës franceze të Viviers, në përfundim të shtegtimit të tyre në Argjentinë. E la mënjanë fjalën e përgatitur dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre, duke i këshilluar ta dëshmojnë me gëzim fenë.

R.SH. - Vatikan

Përvojë e jashtëzakonshme ajo e rreth 30 të rinjve të dioqezës franceze të Viviers, që u pritën dje nga Papa Françesku në Vatikan. Një muaj në Argjentinë, në dioqezën La Rioja, për të ecur në gjurmët e dëshmitarëve të fesë, të cilët e paguan me gjak besimin e tyre në Zotin. Vinin pikërisht nga dioqeza e Viviers: atë Gabriel Longueville dhe atë Carlos Murias, vrarë së bashku gjatë diktaturës, në vitin 1976. Të dy ndiqnin magjisterin e imzot Enriqe Angelelli, ipeshkëv i La Rioja-s, i cili do të shpallet i Lum së shpejti. Edhe ai i vrarë, por zyrtarisht i vdekur në një aksident automobilistik. E vërteta do të mësohej vetëm pas 38 vjetësh.

Dialogu ndërmjet Papës e të rinjve

         Papa Françesku, që i priti të rinjtë në Sallën Klementine, u dorëzon fjalimin e përgatitur dhe u përgjigjet pyetjeve të tyre. Pesë pyetje, me të cilat të rinjtë i kërkojnë Atit të Shenjtë një mënyrë për të dëgjuar Fjalën e Zotit, për t’u lutur, për të mbajtur gjallë lidhjet me të tjerët, në një botë ku njerëzit mendojnë veç për vete. E pastaj, marrëdhëniet me Kishën e përparësitë e ungjillëzimit. Papa u përgjigjet të gjitha pyetjeve. “Fjala e Zotit – pohon, duke kujtuar se janë të varfërit, që e kuptojnë më mirë, pasi nuk ngrenë barriera – nuk dëgjohet vetëm me vesh; hyn përmes veshit, por dëgjohet me zemër”. Lutja është më e fuqishme, kur e themi së bashku, nënvizon më tej, por nganjëherë është e nevojshme të qëndrojmë vetëm para Zotit. Është gjendja e eremitit, i cili lutet vetëm, por e di se me të lutet e gjithë Kisha.

Gëzimi i ungjillëzimit

         Papa i fton të rinjtë ta çojnë përvojën e jetuar në Argjentinë në bashkësitë e tyre në Francë, me të cilat duhet të konfrontohen. “Ungjillëzimi – u thotë Ati i Shenjtë – bëhet udhës” e me gëzim. Duke përmendur “Evangelii Nuntiandi”, Françesku nënvizon se, sidomos të rinjtë, nuk mund të jenë “ungjillëzues të trishtuar, të shkurajuar, pa iluzione, me fytyrë të uthulluar”. Së fundi, kujtimi i atë Gabriel Longueville dhe i ipeshkvit Angelelli, “që – pohon Papa – na ka predikuar ushtrimet shpirtërore më 13 qershor 1973, kur më zgjodhën provincial. E takova atëherë dhe e kuptova këshillën e tij: ‘një vesh për të dëgjuar Fjalën e Zotit e një vesh për të dëgjuar popullin’. Nuk ka ungjillëzim në laborator, ungjillëzimi është gjithnjë ‘sy për sy’ me Popullin e me Fjalën e Zotit”.

30 tetor 2018, 15:04