Kërko

Françesku, besimtarëve të Krakovit: Shën Gjon Pali II vijon të lutet për ju!

Një shtegtim nga Krakovi - në Romë, si shenjë falënderimi ndaj Zotit për dhuratën e Shën Gjon Palit II. Sot paradite, audienca në Vatikan me Papën Françesku, i cili kujtoi përkushtimin e thellë dhe ndjeshmërinë e jashtëzakonshme, që karakterizuan shërbesën papnore të Karol Wojtyl-ës.

R. SH. - Vatikan

Shën Gjon Pali II u kujtua në mënyrë të posaçme sot në mëngjes, në Sallën Pali VI, gjatë audiencës së Papës Françesku me një përfaqësi të besimtarëve të kryedioqezës së Krakovit (Poloni), rreth 700 vetë. Papa rikujtoi mikpritjen e krakovasve, në verën e vitit 2016 si dhe arsyen e pranisë së polakëve në Romë, ku erdhën për ta falënderuar Zotin për papninë e Shën Gjon Palit II, me rastin e 40° vjetorit të zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit.

Shën Gjon Pali II dhe shenjtorët  e Krakovit

Françesku nënvizoi lidhjen e fortë të Papës Wojtyla me atdheun të tij. Shën Gjon Pali II - theksoi - e pasuroi Kishën universale me një mori dhuratash, një pjesë të mirë të të cilave e trashëgoi nga thesari i fesë dhe i shenjtërisë së tokës e të Kishës suaj.

Përkushtimi i pakufishëm ndaj Krishtit dhe njeriut

Nga shenjtorët e Krakovit - vijoi Françesku - Karoli mësoi përkushtimin e pafundmë për Krishtin dhe ndjeshmërinë e madhe për çdo njeri, që e frymëzoi gjithë shërbesën e tij:

“Mori nga Zoti një dhuratë të madhe: aftësinë për t’i lexuar shenjat e kohëve në dritën e Ungjillit dhe e bëri të japë fryte në dobi të udhës së popullit të vet”.

Deshi që Kisha të ishte shenjë e drejtësisë dhe e paqes

I përkiste një populli, atij polak, që në ngjarjet e dhimbshme të historisë së tij “nuk e humbi kurrë besimin në Zotin”, as “besnikërinë ndaj rrënjëve të krishtera”.

Besnik i këtyre rrënjëve, u përpoq që Kisha të ishte rojtare e të drejtave të patjetërsueshme të njeriut e të familjes së popujve, simbol i paqes, i drejtësisë dhe i zhvillimit të gjithanshëm për mbarë familjen njerëzore. Njëkohësisht nënvizoi gjithnjë përparësinë e hirit dhe të bindjes ndaj vullnetit të Zotit, përpara çdo llogarie njerëzore.

Mjeshtër i ecjes me gëzim në udhën e shenjtërisë

Trashëgimia e pasur e Shën Gjon Palit II - përfundoi Françesku - është sfidë për ne të gjithë! Na kujton se duhet të jemi përherë besnikë ndaj Krishtit e t’i përgjigjemi me gëzim  thirrjes së Zotit për shenjtërim, secili sipas gjendjes së tij. Modeli nuk na mungon!

10 tetor 2018, 13:15