Kërko

 Papa takohet me Misionaret e Nënë Terezës Papa takohet me Misionaret e Nënë Terezës 

Dita Misionare. Papa: të transmetohet feja përmes rrugës së dashurisë

Dashurisë nuk mund t’i vësh kufij. Ajo ngjitet, përhapet pa cak, lind takimin, dëshminë, kumtimin: kështu shprehet Papa në Mesazhin drejtuar të rinjve për Ditën Misionare Botërore, që kremtohet sot: fjalë, këto, të cilat Françesku i rikujton në twet-in e sotëm.

R. SH. - Vatikan

“Transmetimi i fesë, zemër e misionit të Kishës, ‘ngjitet’ përmes  dashurisë”. Me këtë tweet në faqen e tij të internetit @Pontifex, Papa Françesku kujtoi Ditën Misionare Botërore 2018 si dhe një fragment të Mesazhit për këtë rast, botuar më 20 majin e kaluar, në solemnitetin e Rrëshajëve, me temë: “Së bashku me të rinjtë, t’ua çojmë Ungjillin të gjithëve”.

Jeta është mision

Fjalë, këto të Papës, drejtuar të rinjve, pikërisht duke pasur parasysh Sinodin, që u kushtohet e vijon në Vatikan. Shoqëruar me ftesën që të reflektojnë për misionin, besuar nga Jezusi e edhe ta kuptojnë më mirë , në dritën e fesë, çka vetë Zoti dëshiron t’u thotë të rinjve, e, përmes tyre, gjithë bashkësisë së krishterë.

Papa për Ditën Misionare: me të rinjtë, do t’ua çojmë Ungjillin të gjithëve

“Çdo burrë e çdo grua  është mision - nënvizon Papa - e kjo, arsyeja për të cilën jetojmë mbi tokë. Të tërhiqesh e të dërgohesh janë dy lëvizjet, që zemra jonë, posaçërisht kur është në lule të rinisë, i ndjen fuqimisht si forca shpirtërore të dashurisë, që premtojnë ardhmëri dhe e shtyjnë përpara jetën tonë. Askush më shumë se të rinjtë, nuk e ndjen sesi jeta vërshon e tërheq”. Kjo, zemra e Mesazhit, në të cilin Papa rikthehet tek familja e tij e tek rinia, me dritë-hijet e veta, duke kujtuar posaçërisht “shpresën e pafundme për një ardhmëri më të mirë”. Falë fesë - u kujton të rinjve  “gjeta themelin e ëndrrave të mia e dhe forcën për t’i realizuar”. Pashë shumë vuajtje, shumë varfëri që i shpërfytyronte fytyrat e shumë vëllezërve e motrave. E megjithatë, kush është përkrah Jezusit, ndjen sesi e keqja e shtyn të dojë gjithnjë më shumë. Prej këndej, thirrja për t’u përflakur nga dashuria e Krishtit, si shenjtorët e martirët, që na paraprinë:

“Të dashur të rinj, mos kini frikë nga Krishti e nga Kisha e Tij! Në ta gjeni thesarin, që e mbush jetën me gëzim”

Kjo, ftesa e Papës drejtuar të rinjve, të cilëve u tregon edhe kufijtë e objektivat e misionit. U flet për një dashuri ngjitëse, së cilës nuk mund t’i vësh kufij, sepse vërshon e, në vërshim e sipër, lind takimin, dëshminë, kumtimin”. Lind edhe ndarjen e përbashkët të dashurisë me ata që, larg fesë, tregohen indiferentë ndaj saj e shpesh edhe kundërshtarë. Mjediset njerëzore, kulturore e fetare ende të huaja për Ungjillin - vëren Françesku - janë periferitë e skajshme, kufijtë  e largët  të tokës, drejt të cilëve, që nga Pashkët e Jezusit, u nisën dishepujt e Tij misionarë. “Periferia më e shkretuar e njerëzimit, nevojtare për Krishtin - shkruan akoma Papa - është indiferenca ndaj fesë e, akoma, urrejtja kundër përsosurisë hyjnore të jetës”.

Falënderimi i Papës

Në përfundim Papa falënderon të gjitha realitetet kishtare që - shkruan- “krijojnë mundësitë për ta takuar personalisht Krishtin, në Kishën e Tij”. E, duke u ndaluar tek të dhënat e Vjetarit Papnor 2018 dhe të Annuarium Statisticum Ecclesiae 2016, kujtojmë se kumtimi i Krishtit vijon të përhapet në planet e besimtarët, të shtohen nga viti në vit, ndonëse me një ritëm më të ngadalshëm se në të kaluarën. Rritja e të pagëzuarve është 1,1%  e Afrika, kontinenti ku numri i besimtarëve është rritur më shumë.  

21 tetor 2018, 13:27