Kërko

Papa Françesku në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe Papa Françesku në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe 

Papa në Shën Marinë e Madhe, në prag të udhëtimit në Vendet Balltike

Lutja e Papës Françesku në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në prag të vizitës apostolike në Vendet Balltike. Programi i udhëtimit të 25-të apostolik ndërkombëtar.

R.SH. - Vatikan

Siç është bërë tashmë zakon gjatë papnisë së Françeskut, dje pasdite, para vizitës në Vendet Balltike, Ati i Shenjtë shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, për t’u lutur para ikonës së Zojës Salus Populi Romani për mbarëvajtjen e udhëtimit. Nga dita e nesërme e deri të martën, 25 shtator, Papa do të shkojë në Lituani, Letoni dhe Estoni, në shtegtimin e tij të 25-të apostolik.

Programi i vizitës në Lituani

         Papa do të mbërrijë nesër rreth orës 11.30, në kryeqytetin e Litanisë, Vilnius. Dy, takimet më të rëndësishme: ai me autoritetet dhe Trupin Diplomatik, si edhe takimi i pasdites me të rinjtë, para katedrales së qytetit. Çaste prekëse do të jenë edhe vizita e Atit të Shenjtë në shenjtëroren “Mater Misericordiae” si edhe vizita private në katedrale, gjatë së cilës Papa do t’i çojë lule Zojës së Siberisë e do të lutet për gjithë të internuarit e komunizmit e të të gjitha kohrave.

Ngjarjet më kryesore të vizitës në Kaunas

         Më 23 shtator, pra, të dielën, Papa Françesku do të shkojë në Kaunas, gjithnjë në Lituani, ku do të kremtojë meshën dhe Engjëllin e Tënzot, në parkun Santakos, para se të drekojë me ipeshkvijtë lituanezë dhe të takohet, pasdite, në katedrale, me klerin vendas. Më pas, do të kthehet në Vilnius, ku do të vizitojë e do të lutet në Muzeumin e pushtimeve dhe të luftrave për liri. Do të qëndrojë në lutje edhe para Monumentit të viktimave të getos hebraike.

Nga Vilniusi në Riga

         Të hënën, 24 shtator, Papa Françesku do të niset për në Letoni, ku në kryeqytetin e vendit, Riga, përveç takimit me autoritetet e Trupin Diplomatik, si edhe vizitës në muze, do të marrë pjesë në një takim ekumenik. Përmasa ekumenike është edhe veçoria e qëndrimit të Atit të Shenjtë në Letoni, ku së bashku me përfaqësuesit e feve të tjera, do të lutet para varrit të Shën Bernardit. “Të gjitha ngjarjet ekumenike në Letoni dhe në Estoni – vërejti zëdhënësi i Vatikanit, Greg Burke, gjatë paraqitjes së programit të vizitës apostolike, të mërkurën e sapokaluar – do të mbahen në katedrale luterane”. Pasditen e së hënës, Ati i Shenjtë do të shkojë në Aglona për të kremtuar meshën në sheshin para shenjtërores së Nënës së Zotit, vend i nderuar nga e gjithë Letonia, si ajo katolike, ashtu edhe ajo luterane.

Vizita e Papës në Estoni

         Mëngjesin e së martës, 25 shtator, Papa Françesku do të largohet nga Letonia për të shkuar në Estoni, në kryeqytetin Talin, etapa e fundit e udhëtimit të tij në Vendet Balltike. Edhe këtu, nuk do të mungojë takimi me autoritetet e takimi ekumenik me të rinjtë në kishën luterane të Shën Karlit, por, në ndryshim nga vendet e tjera, në Estoni, Ati i Shenjtë do të shkojë në katedralen e shenjtorëve Pjetër e Pal, ku do të takohet me të varfërit e ndihmuar nga motrat e Nënë Terezës e nga Karitasi: “njerëz me probleme alkooli e droge dhe vajza me fëmijë”, siç theksoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke. Papa do t’i japë lamtumirën Estonisë me kremtimin e meshës në sheshin e Lirive, për t’u kthyer në Vatikan, të martën mbrëma.

21 shtator 2018, 13:18