Papa Françesku, në konferencën për shtyp, në avionin e kthimit nga Vendet Balltike Papa Françesku, në konferencën për shtyp, në avionin e kthimit nga Vendet Balltike 

Papa në avion: Marrëveshja me Kinën vijon rrugën e dialogut

Ajo për Marrëveshjen me Kinën qe një nga përgjigjet e Papës më të pritura nga gazetarët, gjatë konferencës së shtypit në avion, në kthim nga Vendet Balltike. Ndër temat, mbrojtja e identitetit të tri republikave, dënimi i armatimeve dhe çështja e abuzimeve me klerin.

R.SH. - Vatikan

Ka më tepër se një udhëtim, në shtegtimin e Papës Françesku në Vendet Balltike. Përvoja e takimit me Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, paraqitet në një ndërthurje temash, për të cilat Ati i Shenjtë u shpreh gjatë konferencës së shtypit, në fluturimin e kthimit nga Talini. Katër ditë, në kontakt me plagët e kujtesës së përbashkët të të ashtuquajturave “tri motrat”, por edhe të projektimit të tyre në të tashmen politike, që i shtyn drejt perëndimit, e në rrënjët, që i mbajnë të ngulur në kahen e kundërt, në Lindje, ku është Rusia, dikur Bashkimi Sovjetik, nga i cili janë shkëputur. Më se një herë, Papa uron pajtim ndërmjet këtyre dy gati-identiteteve, në mënyrë që për Vendet Balltike të hapë krahët e të fluturojë lart shpresa.

Identiteti duhet ruajtur

         Si për të dashur të vërë çdo gur të mozaikut në vendin e vet, Papa ngul këmbë, ashtu si në çdo shtet gjatë udhëtimit, në ruajtjen e identitetit të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, tepër shpesh, nëpërkëmbur nga pushtues mizorë, por mbrojtur nga ata që dje, e përdorën si mburojë kundër diktaturave e, sot, të moshuar, e kanë për detyrë t’ua transmetojnë të rinjve, së bashku me trashëgiminë e artit, të kulturës e të fesë. Pastaj, duke menduar për dhomat e torturës në Muzeun e viktimave të Vilniusit, Papa dënon dhunën dhe tregtinë e armëve. Është e ligjshme të mbrosh atdheun, nënvizon, por shteti duhet të ketë një ushtri të arsyeshme e jo agresive për t’u mbrojtur. E akoma, përmend edhe një herë parimin e “kujdesit” përsa i përket emigracionit, si në hyrje, ashtu edhe në dalje të çdo vendi.

Kina, “urtia” e Marrëveshjes

         Pyetjet e gazetarëve ngulin këmbë në kronikën e ditës. Marrëveshja e Përkohshme me Kinën është argumenti, që e zhvendosi vëmendjen e këtyre ditëve nga mbërritja e Papës në Lituani, edhe më në Lindje, duke i bërë gazetarët të kërkojnë shpjegime për akuzën se Vatikani ia ka “shitur” Kishën Pekinit. Papa përgjigjet qetësisht: Marrëveshjen “e kam nënshkruar unë”, “jam unë përgjegjësi” e, kërkon “lutje” për ata që, pas shumë vitesh klandestiniteti, sot, nuk e kuptojnë rëndësinë e saj. Në çdo marrëveshje paqeje, shpjegon, secila nga palët humbet diçka, e megjithatë, “do të jetë Papa ai, që do t’i emërojë” ipeshkvijtë kinezë. Françesku lavdëron “durimin” dhe “urtinë” e negociatorëve vatikanas – nga kardinali Parolin tek imzot Celli e tek atë Rota Graziosi – duke pohuar se i ka vlerësuar dosjet e ipeshkvijve pa mandat papnor, i nevojshëm për emërimin e tyre, prej kohësh jo aq të largëta.

“Feja e madhe” e kinezëve

         E gjithnjë duke folur për Kinën, Papa Françesku vlerëson lart fenë e katolikëve vendas, sprovuar për një kohë të gjatë. Ati i Shenjtë tregon historinë e akuzave të ish-nuncit. Të gjithë ipeshkvijtë i shprehën solidaritet Papës. Letra, që i erdhi nga Kina, ishte nënshkruar së bashku, nga ipeshkvijtë e katakombeve dhe nga ata zyrtarë. Kjo u konsiderua nga Papa si shenjë e Provanisë Hyjnore.

Abuzimet janë të përbindshme

         Papa i përgjigjet pyetjes së një gazetareje gjermane për abuzimet me të miturit. Do të ishte “e përbindshme” – fjalët e Françeskut – sikur të ishte edhe një prift i vetëm, që i kryen këto krime. Pohon se nuk ka falur askënd prej fajtorëve, ndër rastet e sinjalizuara nga Kongregata për Doktrinën e Fesë. Abuzimet seksuale janë edhe më të shëmtuara në Kishë, sepse meshtarët “duhet t’i çojnë fëmijët tek Zoti” e kjo as që diskutohet. Megjithatë, vëren Papa, e kaluara nuk duhet interpretuar me metrin e sotëm të gjykimit, pasi dikur kishte ndjeshmëri të ndryshme e këto krime mbuloheshin. Sot, Kisha po merr masa për mbrojtjen e të miturve në gjithë botën.

26 shtator 2018, 16:22