Cerca

Vatican News
Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa: liria nuk i jep kuptim jetës, pa dashurinë, që vjen prej Zotit

Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku përshkon të gjitha etapat e udhëtimit të tij apostolik në Lituani, Letoni dhe Estoni, me misionin “për të shpallur sërish gëzimin e Ungjillit e revolucionin e mëshirës e të dhembshurisë.

R.SH. - Vatikan

Në Lituani, Letoni dhe Estoni, misioni i Papës ishte kumtimi i “gëzimit të Ungjillit dhe i revolucionit të mëshirës e të dhembshurisë, sepse liria nuk mjafton për t’i dhënë kuptim të plotë jetës”. Nevojitet edhe dashuria, që vjen prej Zotit. Kështu tha vetë Ati i Shenjtë sot, në audiencën e përgjithshme, para më se 20 mijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Katër ditë, nga Vilnius në Talin

         Duke përshkuar etapat e katër ditëve, që e çuan nga Vilniusi në Kaunas, Riga, Aglona e Talin, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë nga Rusia e carëve, Papa kujton se të tria vendet i kanë kaluar të paktën gjysmën e këtyre 100 vjetëve, fillimisht nën thundrën e nazizmit e pastaj, nën pushtimin sovjetik. Popuj të vuajtur, që Zoti i sheh me dhembshuri, nënvizon Ati i Shenjtë. Por, që nga udhëtimi i shën Gjon Palit II, para 25 vjetëve, menjëherë pas rënies së komunizmit, kuadri ka ndryshuar.

         Ungjilli – thekson Françesku – që në kohën e sprovave jep forcë dhe frymëzon luftën për çlirim, në kohën e lirisë është dritë për udhën e përditshme të njerëzve, të familjeve, të shoqërisë dhe është kripë, që i jep shije jetës, duke e ruajtur nga korrupsioni i mediokritetit dhe i egoizmit.

Të shumtë ata, që e braktisin fenë

         Ati i Shenjtë vë në pah se në Lituani, katolikët janë shumica, ndërsa në Letoni dhe në Estoni, mbizotërojnë luteranët dhe ortodoksët, por për fat të keq, shumë largohen nga feja. Në Estoni, rreth 70% e popullsisë deklaron se është ateiste e pa fe.

         Prandaj, sfida është përforcimi i bashkimit ndërmjet të krishterëve, krijuar që gjatë periudhës së vështirë të persekutimit.

Të rinj, që dialogojnë me të moshuarit

         Kësaj sfide iu përgjigj çasti i lutjes ekumenike në katedralen e Rigës dhe takimi me të rinjtë në Talin të Estonisë. Papa flet pastaj, për takimet me autoritetet e të tria vendeve, gjatë të cilave vuri theksin “mbi kontributin, që ato japin në bashkësinë e Kombeve e sidomos në Evropë: kontribut vlerash njerëzore e shoqërore të kaluara përmes sprovës”. E kujton se inkurajoi “dialogun ndërmjet brezit të të moshuarve e atij të të rinjve”, kontaktin me rrënjët, që duhet të vijojë të frymëzojë të tashmen e të ardhmen.

         Ata, që kanë kaluar përmes sprovave të rënda, përbëjnë rrënjët e popullit, të cilat duhen ruajtur me hirin e Zotit, që filizat e rinj të mund të marrin forcë, të lulëzojnë e të bëjnë fryte – kujton Papa ç’u tha të moshuarve e të rinjve në Rigë. – Sfida për kë plaket është të mos ngurtësohet në shpirt, por të mbetet i hapur dhe i dhembshur me mendje e me zemër; e kjo është e mundur me “limfën” e Shpirtit Shenjtë, në lutje e në dëgjimin e Fjalës së Zotit.

Meshtarë, besnikë në fe

         Papa kujton takimin me meshtarët e seminaristët në Lituani.

         Ҫ’dëshmi të madhe dhanë e japin akoma shumë meshtarë, rregulltarë e rregulltare të moshuara! Vuajtën nga shpifjet, burgosjet, internimet… por mbetën besnikë në fe. Nxita të mos harrohet, të ruhet kujtimi i martirëve, për të ndjekur shembullin e tyre.

Geto e Vilniusit dhe Muzeu i Pushtimeve

         Ati i Shenjtë i kthehet homazhit për viktimat e getos hebraike në Vilnius të Lituanisë, saktësisht, 75 vjet pas mbylljes së asaj, që shërbeu si paradhomë për vdekjen e dhjetra mijëra hebrenjve. E pastaj, vizitës në Muzeun e Pushtimeve e të Luftës për Liri, ku u lut në dhomat, në të cilat burgoseshin, torturoheshin e vriteshin kundërshtarët e regjimit. E së fundi, kujton edhe tri meshët në Kaunas të Lituanisë, në Aglona të Letonisë dhe në Talin të Estonisë, gjatë të cilave i bëri thirrje Popullit të Zotit në ato toka të gjejë sërish shpresën në Krishtin, duke u mbështetur në shën Marinë, e cila është gjithnjë Nënë për bijtë e vet, sidomos për më të vuajturit.

26 shtator 2018, 13:05