Kërko

Papa Françesku në takimin me klerin e Lituanisë, në Kaunas Papa Françesku në takimin me klerin e Lituanisë, në Kaunas 

Papa Françesku, klerit të Lituanisë: të jeni bij martirësh

Papa Françesku, në katedralen e Shën Pjetrit e të Shën Palit, në Kaunas, e fton klerin të jetë gjithnjë i dashuruar me Zotin, dëshmitarë të dashurisë së Tij, rrënjosur në historinë e ndritur të Kishës lituane.

R.SH. - Vatikan

Lutja e përbashkët i parapriu “fjalës së inkurajimit”, që meshtarët, rregulltarët dhe seminaristët i kërkojnë Papës Françesku, përmes kryetarit të Komisionit të Urdhërave fetare, imzot Vodopjanovas. Në katedralen e Shën Pjetrit e të Shën Palit, në Kaunas, Ati i Shenjtë u dhuron atyre një reflektim pa letër, pavarësisht se lexon disa pjesë nga fjalimi i shkruar. U kërkon të pranishmëve të mos e harrojnë të kaluarën, ta ruajnë të mirën e bërë nga shumë vetë, për të cilët, shpesh, nuk dihet më asgjë. Pastaj, i këshillon të mos jenë të trishtuar, por të dashuruar pas Zotit, të jenë ungjillëzues të një Kishe në dalje.

Kishë martire

         Duke ju parë, shoh pas jush shumë martirë. Martirë anonimë, në kuptimin që as dimë ku janë varrosur. Jeni bij martirësh. Kjo është forca juaj. E shpirti i kësaj bote mos vijë t’ju thotë gjëra të tjera, ndryshe nga ato, që kanë jetuar paraardhësit tuaj. Kujtojini martirët e merrni [shembull] prej tyre: ata nuk kishin frikë.

         Papa kujton edhe tundimin për brezin e dytë të rregulltarëve: të mos e ndjejnë më gëzimin pas thirrjes së Zotit, të jetojnë me mërzi sipas “shpirtit të shekullarizimit”. Në fjalën e tij, pa doreza, Ati i Shenjtë u thotë se nuk janë “funksionarë të Zotit” e se shoqëria e mirëqënies “na ka ngopur pak si tepër, na ka mbushur me shërbime e të mira e jemi rënduar nga gjithçka, por nuk jemi plot me asgjë”. Duhet të lutemi e ta adhurojmë Zotin, këshillon Papa, ta kultivojmë dëshirën për Hyjin.

Të dëgjojmë njerëzit

         Ati i Shenjtë komentoi moton e udhëtimit të tij në Lituani “Jezu Krishti, shpresa jonë”, duke e nxitur klerin të ecë përpara me guxim, pavarësisht se aktualisht, duket sikur feja nuk u intereson edhe aq lituanëve, tek të cilët, sipas të dhënave të fundit, duket se po kthehen lloj-lloj praktikash pagane. Por krishterimit, që u mbijetoi edhe planeve të KGB-së, i takon të mbartë kryqin e shpresën e fesë.

         Papa Françesku përvijon tiparet karakteristike të kësaj shprese të krishterë, tipare, që janë të thirrur t’i jetojnë edhe meshtarët e rregulltarët. Si gjithnjë, e bën këtë përmes tri fjalëve: britmë (ankim drejtuar Zotit), qëndresë e identifikim me Krishtin.

         Kur e dëgjojmë zërin e Zotit në lutje, na bën të shohim, të dëgjojmë, ta njohim dhimbjen e të tjerëve, për t’i çliruar ata. Njëlloj, duhet të na bëjë përshtypje kur populli nuk ankohet më, kur nuk e kërkon më ujin, që e shuan etjen. Është çasti për të shqyrtuar çfarë po anestetizon zërin e njerëzve tanë.

Jeta e rregulltarëve të jetë koherente

         Thelbi i fjalës së Papës është ftesa për të rinjtë rregulltarë, të cilët, është më mirë të heqin dorë nga misioni i tyre, në vend që të jetojnë në mediokritet e të mbajnë qëndrime, që nuk përkojnë me shugurimin e tyre. I këshillon të shohin rrugën e përshkuar nga të moshuarit, të cilëve u kërkon të tregojnë, të dëshmojnë.

         Dhuna e përdorur kundër jush vetëm sepse keni mbrojtur liritë civile e fetare, dhuna e shpifjes, burgosjes dhe internimit, nuk kanë mundur ta mposhtin fenë tuaj në Jezu Krishtin, Zotin e historisë.

         Ati i Shenjtë vuri theksin në përmasën komunitare të Popullit të Zotit, i cili bashkohet nga Shpirti Shenjt, pavarësisht nga ndryshimet, për t’i dhënë hov të ri misionit të Kishës.

Të trishtuar, sepse të padashuruar me Zotin

         Papa ndalet më pas në nevojën për të mos u munduar nga trishtimi, që “është sëmundje”, u kërkon rregulltarëve të ndalen, kur e humbin drejtimin e nuk japin më fryte.

         Të trishtë, sepse nuk gjejnë dashurinë, sepse nuk janë të dashuruar, të dashuruar me Zotin. Kanë lënë mënjanë jetën martesore e familjare dhe kanë dashur të ndjekin Zotin. Por tani, duket se janë lodhur. E kështu, i kaplon trishtimi. Ju lutem, kur ndjeheni të trishtuar, ndaluni. E kërkoni një prift të mençur, një murgeshë të urtë… e lypuni këshillë.

Jo funksionarë të Zotit

         Trishtimi lidhet me një gjendje të vështirë, kur meshtari apo rregulltari e ndjen thirrjen si të ishte ndonjë ndërmarrje, ku nuk ka vend për dashuri e për zell apostolik, nënvizon Papa.

         Nëse nuk doni të jeni “funskionarë”, po ju them një fjalë: “afërsi”. Afërsi, qëndrim pranë tjetrit. Afërsi me tabernakullin, sy më sy me Zotin. E afërsi me njerëzit. “Por, o atë, njerëzit nuk vijnë…” Shko e gjeji!

         Barinj e jo klerikë shtetërorë. Njerëz të afërt e të mëshirshëm, në gjendje të transmetojnë përqafimin e Atit Qiellor, i cili fal. “Rrëfyestorja – pohon Papa – nuk është studio psikiatri. Rrëfyestorja nuk është për të gërmuar në zemrën e njerëzve”.

Murgeshat janë nëna

         Pastaj, duke u folur murgeshave, Papa Françesku u kujton se janë nëna, ikona të Zojës e të Kishës.

         Nëna Kishë nuk përgojon: do, shërben, rrit. Afërsi me tabernakullin e me lutjen - ajo etje e shpirtit, për të cilën fola – e me të tjerët. Shërbim meshtarak e jetë rregulltare jo si “funksionarë”, por si nëna e etër mëshire. E nëse bëni kështu, kur të plakeni do të keni një buzqëqeshje të mrekullueshme e sy që shkëlqejnë! Sepse do ta keni shpirtin plot me ëmbëlsi, me butësi, me mëshirë, me dashuri, me atësi e amësi. Lutuni për këtë ipeshkëv të shkretë. Faleminderit!

23 shtator 2018, 13:59