Papa Françesku në Kaunas të Lituanisë Papa Françesku në Kaunas të Lituanisë 

Papa në Engjëllin e Tënzot: t’i jepet fund asgjësimit të tjetrit

Në Engjëllin e Tënzot, në Kaunas të Lituanisë, Papa kujtoi 75-vjetorin e shkatërrimit të getos së Vilniusit, ku u asgjësuan mijëra hebrenj. I nxiti të krishterët të zhdukin edhe farën e një qëndrimi, që synon zhdukjen, ose mënjanimin e pakicave e të njerëzve të brishtë të shoqërisë.

R.SH. - Vatikan

75-vjet më parë, në Lituani, shkatërrohej getoja e Vilniusit, kulmi i asgjësimit të mijëra hebrenjve. Papa Françesku e kujtoi këtë përvjetor, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, menjëherë pas meshës në Parkun Santakos të Kaunas:

         Ta kujtojmë atë epokë, e t’i lutemi Zotit që të na japë dhuratën e shoshitjes, për të zbuluar në kohë çdo lloj fare të atij qëndrimi fatal, të çfarëdolloj atmosfere, që ua atrofizon zemrën brezave, të cilat nuk e kanë provuar [atë gjendje] dhe mund të rendin pas atyre këngëve sirenash.

I pabesi persekuton të drejtin

         Në qendër të reflektimit të Papës, figura e të pabesit, i cili imponon ideologjinë e vet dhe e persekuton të drejtin, madje, edhe vetëm prania e tij e bezdis. Nuk i mjafton plotësimi i tekave të veta, por përpiqet ta asgjësojë të mirën, prandaj, nuk i do ata, që bëjnë mirë, sepse vënë në dukje sa i keq është. I pabesi është gjithnjë në ankth për t’u dukur e për të qenë i pari në çdo gjë. Njëlloj ndodh edhe me një popull, kur ndjehet superior, me të drejta e privilegje më shumë se të tjerët, nënvizon Papa, i cili propozon qëndrimin e Jezu Krishtit:

         Të qëndrojmë aty, ku askush nuk dëshiron të shkojë, ku nuk arrin asgjë, në periferinë më të largët; e të shërbejmë, duke krijuar hapësira takimi me të fundmit, me të mënjanuarit. Nëse pushteti do të vendoste kështu, nëse do ta lejonim Ungjillin e Krishtit të arrinte deri thellë në jetën tonë, atëherë, globalizimi i solidaritetit do të bëhej vërtet realitet.

23 shtator 2018, 13:52