Kërko

Viaggio Apostolico in Lituania Lettonia Estonia 2018.09.24 Viaggio Apostolico in Lituania Lettonia Estonia 2018.09.24 

Papa në Letoni: mos i harroni rrënjët e popullit, mos e humbni shpresën

Keni pësuar çdo lloj sprove - thaPapa – tmerrin e luftës, represionin politik, persekutimin dhe internimit. (...) Keni qëndruar dhe e keni ruajtur fenë. Jeni dëshmi e gjallë e qëndresës. po edhe një dhuratë e profecisë. Mos harroni se jeni rrënjët e një populli, rrënjët e filizave të rinj që duhet të lulëzojnë dhe të japin fryte; mbrojini këto rrënjë, mbani gjallë.

R.SH. - Vatikan

Në kuadrin e vizitës apostolike në Letoni, sot në Rigë, Papa Françesku vizitoi Katedralen e Shën Jakobit, ndërtuar në shekullin e trembëdhjetë, e cila është në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s. Papa u prit në hyrjen kryesore të Katedrales nga famullitari, ndërsa pranë altarit një çift i moshuar i dhuroi një tufë me lule, të cilën menjëherë Papa e vendosi para fugures së Virgjërës Mari.

Shpesh, sa njerëz që kanë "shpenzuar trupin dhe shpirtin" për të ndjekur e arritur lirinë e atdheut të vet, pastaj janë braktisur e kështu kanë përfunduar në "vetmi, izolim, në harresë e janë të lënë pa burime, madje deri edhe në mjerim”. Ky reflektimi i Papës Françesku në Katedralen katolike të Shën Jakobit në Riga.

Pas përshëndetjes së mirëseardhjes nga kryeipeshkvi i Rigës, Imzot Zbignevs Stankeviès, Papa Bergoglio e vazhdoi fjalimin duke iu referuar fjalëve të prelatit, dedikuar shumë të moshuarve të pranishëm: burra e gra që përjetuan Luftën e Dytë Botërore e pastaj edhe kohën kur mbretëronte "ideologjia ateiste me të gjitha kërcënimet, represionet dhe kufizimet"; burra dhe gra që kanë vuajtur e pësuar "represionin politik, janë përndjekur dhe internuar për shkak të fesë së tyre në Jezu Krishtin".

Treni i lirisë pa kujtesë

"Ju që jeni këtu të pranishëm, i jeni nënshtruar çdo lloji sprove - theksoi Papa Françesku - tmerrit të luftës, pastaj represionit politik, persekutimit dhe internimit. (...) Dhe keni qëndruar, e keni ruajtur fenë ". Edhe shumë persona tjerë të pranishëm në Katedralen e Shën Jakobit, në fakt, kanë rezistuar me guxim para regjimit "nazistë”, pastaj edhe para “atij sovjetik", pa e shuar kurrë besimin në zemër, duke arritur deri edhe t’i përkushtohen "jetës meshtarake, rregulltare, katekizmit dhe shërbimeve të ndryshme kishtare, që, në të vërtetë, e vinin në rrezik jetën".

"Edhe pse kjo, sot, mund tingëllojë në mënyrë paradoksale, në emër të lirisë, njerëzit e lirë, sot lejojnë që të moshuarit t’i nënshtrohet vetmisë, izolimit, mungesës së burimeve, të përjashtohen nga shoqëria, e madje edhe të përfundojnë deri në mjerim. Nëse është kështu, i ashtuquajturi tren i lirisë dhe i progresit përfundon duke pasur, në ata persona që kanë luftuar për t’i fituar të drejtat e lirinë, shtresën më të dobët të shoqërisë, ndërsa rezultatet i shijon dikush tjetër, ata, po, nderohen dhe respektohen, por në realitet, në jetën e përditshme janë harruar dhe braktisur”.

Një zemër e re është e hapur për lajmin e Zotit.

Në vazhdim të fjalimit të tij, Papa Françesku i inkurajoi të gjithë, duke i ftuar të mos bien në "dëshpërim, në trishtim”, të mos e humbasin "përzemërsinë, ëmbëlsinë dhe aq më pak shpresën”. Duke theksuar fjalët e Letrës së Jakobit, Papa u kërkoi “të jenë të qëndrueshëm në çdo provë dhe të shpresojnë me durim", duke e ruajtur zemrën të re, jo "ngurtë" e "sklerotike" pa "gëzimin e risisë së Zotit".

"Ju, që keni kaluar nëpër shumë stinë, ju jeni dëshmi e gjallë e qëndresës në vështirësi, por ju jeni edhe një dhuratë e profecisë, që u kujton brezave të ri se kujdesi dhe mbrojtja për ata që kanë flijuar jetën për dhuratat që sot i gëzojmë, ata që na kanë paraprijë janë të çmuar dhe vlerësohen nga Zoti, dhe nëse nuk përfillen, ata bërtasin para Zotit. Ju që keni kaluar nëpër shumë stinë, mos harroni se jeni rrënjët e një populli, rrënjët e filizave të rinj që duhet të lulëzojnë dhe të japin fryte; mbrojini këto rrënjë, mbani gjallë".

24 shtator 2018, 17:04