Kërko

Papa në Letoni: ndihmë për familjet e largpamësi për të ardhmen

Në etapën e dytë të udhëtimit të tij në Vendet Balltike, Papa Françesku mbërrin në Letoni e në Pallatin Presidencial të Rigës u kërkon autoriteteve e shoqërisë civile të punojnë për solidaritetin e jo për interesa të veçanta. Homazh në Monumentin e Lirisë.

R.SH. - Vatikan

Papa është sot në Letoni, në etapën e dytë të udhëtimit të tij apostolik në Vendet Balltike.  Takimi i parë i ditës së sotme, e treta e shtegtimit papnor, është ai me autoritetet e me shoqërinë civile në Pallatin Presidencial, pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe vizitës së kortezisë tek presidenti i Republikës.

         “Treguesi i zhvillimit njerëzor matet edhe me aftësinë për t’u rritur e shumëfishuar”, e “të punosh për lirinë do të thotë të impenjohesh për një zhvillim të gjithanshëm e integrues të të gjithë njerëzve e bashkësive”. Në fjalimin e tij të parë në Rigë, Papa Françesku kujton 100-vjetorin e pavarësisë, duke vlerësuar mënyrën me të cilën letonët i kanë përjetuar vuajtjet e tyre, duke u përpjekur ta shndërrojnë Letoninë në një vend takimi.

Përshëndetja e presidentit: Letonia pa jetimore

         Në përshëndetjen e tij, presidenti Raimonds Vējonis flet për rëndësinë e familjes dhe për planin që Letonia të bëhet “një vend pa jetimore”. Flet për varfërinë dhe emigracionin, për pabarazinë shoqërore, por edhe për përpjekjet që të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, bazuar mbi vlerat e popullit leton. Flet për Evropën e bashkuar, pavarësisht nga ndryshimet, por denoncon edhe kultin e saj të konsumizmit e ndikimin përkeqësues të njeriut mbi ambientin.

Aftësia e Letonisë të shohë drejt horizontit

         Letonia – nënvizon Papa, duke marrë fjalën – diti ta ndryshojë vajtimin e dhimbjen e saj në këngë e valle dhe u përpoq të shndërrohet në vend dialogu e takimi… Kremtoni 100-vjetorin e pavarësisë, çast kuptimplotë për jetën e krejt shoqërisë. Ju e njihni mirë çmimin e kësaj lirie, që u është dashur ta fitoni e ta rifitoni.

Rrënjët e krishtera të Letonisë

         Por liria i ka rrënjët në qiell, nënvizon më tej Papa. Pa aftësinë për t’i lartuar sytë drejt Zotit, nuk është e mundur të rindërtohet vendi.

         Më vjen mirë të marr vesh – thekson Ati i Shenjtë – se në zemër të rrënjëve, që e mbajnë këtë tokë, është Kisha Katolike, në bashkëpunim të plotë me Kishat e tjera të krishtera. Kjo është shenjë se mund të kemi bashkim, pavarësisht nga ndryshimet.

Të impenjohesh për zhvillimin e gjithanshëm

         Bergoglio shpjegon se “të punosh për lirinë do të thotë të impenjohesh për zhvillimin e gjithanshëm e integrues të njerëzve e të bashkësive. Nëse sot mund të bëjmë festë – vëren – është falë shumë vetëve, që hapën rrugët, portat, të ardhmen, duke ju lënë trashëgim të njëjtën përgjegjësi: ta hapni të ardhmen, duke synuar që gjithçka të jetë në shërbim të jetës”.

Papa, në Monumentin e Lirisë

         E Papa Françesku përfundon: “Në fund të këtij takimi do të shkojmë në Monumentin e Lirisë, ku do të jenë të pranishëm fëmijë, të rinj e familje. Ata na kujtojnë se ‘amësia’ e Letonisë – analogji e sugjeruar nga motoja e këtij udhëtimi – gjen jehonë në aftësinë për të promovuar strategji, vërtet të frytshme e të fokusuara në fytyrat konkrete të këtyre familjeve, të këtyre të moshuarve, të fëmijëve e të të rinjve, më shumë se në primatin e ekonomisë mbi jetën. ‘Amësia’ e Letonisë duket edhe në aftësinë për të krijuar mundësi pune, në mënyrë që askush të mos çrrënjoset nga vendi e të ndërtojë të ardhmen e vet. …Zhvillimi i një bashkësie nuk shihet e as matet vetëm me sasinë e pasurive e të burimeve që zotëron, por edhe me dëshirën që ka për të lindur jetën e për të krijuar të ardhmen e vet”.

24 shtator 2018, 10:00