Kërko

viaggio-apostolico-in-lituania-lettonia-eston-1537779433283.JPG

Papa në Riga: Zoti na thërret për pajtim ekumenik

Në takimin ekumenik në katedralen ungjillore luterane të Rigës, Papa Françesku lutet që nga dëshmia e vëllezërve të krishterë, të cilët sot përjetojnë “dëbimin e madje, edhe martirizimin, për shkak të fesë” mund të zbulojmë se Zoti na thërret ta jetojmë Ungjillin me “gëzim, mirënjohje e vërtetësi”.

R.SH. - Vatikan

Të jemi “dishepuj misionarë” të Zotit në botën ku jetojmë. Kjo, këshilla e Papës Françesku për besimtarët e Kishave të ndryshme të krishtera të Letonisë – që përfaqësojnë rreth 60% të popullsisë – mbledhur në katedralen ungjillore luterane të Shën Marisë në Rigë. Pasi përshëndeti 10 krerët e denominacioneve të krishtera e pasi bëri homazhe në varrin e Shën Meinardit, Ati i Shenjtë lutet që “të vazhdojë të tingëllojë muzika e Ungjillit” në një tokë, si Letonia, që karakterizohet nga ekumenizmi i jetuar.

Udha e vetme e mundshme për ekumenizmin

         Është lutja e Jezusit drejtuar Atit Qiellor, para se të flijohej, “duke parë në sy kryqin e vet dhe kryqin e shumë prej vëllezërve tanë” ajo, që përvijon udhën ekumenike, shpjegon Papa.

         Të zhytur në lutjen e Tij, si besimtarë të Tij e të Kishës, duke dëshiruar hirin e bashkimit që Ati Qiellor e zotëron në amshim, gjejmë aty të vetmen udhë të mundshme për çdo ekumenizëm: në kryqin e vuajtjes së sa e sa të rinjve, të moshuarve e fëmijëve, që shpesh, shfrytëzohen, nuk gjejnë kuptimin e jetës, u mungojnë mundësitë dhe janë vetëm. Ndërsa ia ngul sytë Atit dhe neve, vëllezërve të Tij, Jezusi nuk resht s’u përgjëruari: që të gjithë të jenë një.

Punë artizanale

         Kryeipeshkvi i Rigës, imzot Jānis Vanags, gjatë përshëndetjes, përmend gjysëmshekullin e kaluar nën thundrën sovjetike. E Ati i Shenjtë i përgjigjet se pikërisht katedralja e kryeqytetin leton, në të cilin krishterimi është ngulitur që prej 800 vjetësh, është dëshmitare e vuajtjes dhe e guximit të të krishterëve, që vinin këtu për t’u lutur e për të gjetur ngushëllim. Papa lutet që ndryshimet ndërmjet të krishterëve të kthehen në bashkim e që Shpirti Shenjt t’i veshë me “armët e dialogut, të mirëkuptimit, të respektit të ndërsjelltë e të vëllazërimit”.

Tradita e krishterë të mos mbetet objekt i së kaluarës

         Katedralja e sidomos organo e saj janë ndër më të lashtat në Evropë: traditë e identitet për banorët; objekt artistik për turistët. Papa vë në dukje rrezikun për të kaluar nga banorë në turistë, jo vetëm për objektet, që dëshmojnë të kaluarën, por edhe për vetë fenë.

         Mund të reshtim së ndjeri të krishterë rezidentë, për t’u kthyer në turistë. Edhe më, …e gjithë tradita jonë e krishterë mund të pësojë të njëjtin fat: përfundon në një objekt të së kaluarës, që, i mbyllur ndërmjet mureve të kishave, resht së intonuari një melodi të aftë të shkundë e të frymëzojë jetën e zemrat e atyre, që e dëgjojnë.

Të luftojmë për dinjitetin e çdo burri e të çdo gruaje

         Papa nënvizon se kështu, muzika e Ungjillit mbetet vetëm një partiturë e bukur e së kaluarës, por nuk do të jetë në gjendje të dikojë frymën e krishterë në shoqëri, të mbështesë përpjekjet e saj e t’i japë hov të ri shpresës.

         Nëse muzika e Ungjillit resht së tingëlluari në shtëpitë tona, në sheshet, në vendet e punës, në polikë e në ekonomi, do ta kemi shuar melodinë, që na nxiste të luftonim për dinjitetin e çdo burri e të çdo gruaje, pavarësisht nga prejardhja, duke u mbyllur në vetvete e duke harruar shtëpinë e përbashkët të të gjithëve.

Ekumenizmi i gjakut

         Pasi flet kundër vetmisë dhe izolimit, duke pasur parasysh të moshuarit dhe të rinjtë, Papa përmend edhe vëllezërit e krishterë të persektuar.

         Nuk mund të mos pranojmë se, sigurisht, kohët nuk janë të lehta, sidomos për vëllezërit tanë, që sot përjetojnë dëbimin e madje, edhe martirizimin, për shkak të fesë. Por dëshmia e tyre na nxit të zbulojmë se Zoti vazhdon të na thërrasë e të na ftojë ta jetojmë Ungjillin me gëzim, mirënjohje e vërtetësi. Nëse Krishti na ka konsideruar të denjë për të jetuar në këto kohë, në këtë orë – e vetmja që kemi – nuk mund të kemi frikë… Zoti do të na japë forcë për ta kthyer çdo kohë, çdo çast, çdo situatë, në mundësi për bashkim e pajtim me Atin e me vëllezërit, sidomos me ata, që sot, konsiderohen askush.

Në dalje, drejt shoqërisë postmoderne

         Zoti na kërkon të jemi misionarë në këtë shoqëri postmoderne, ku jetojmë e, për këtë, është e nevojshme të lëmë mënjanë plagët e së kaluarës, për t’u përqendruar në lutjen e Krishtit që të gjithë të jenë një. Është mision për ta bërë akoma të tingëllojë muzikën e Ungjillit nëpër sheshe, përfundon Papa, para lutjes universale, thënë në letonisht nga kryepeshkopi luteran, nga mitropoliti ortodoks, nga kryeipeshkvi katolik, nga ipeshkvi baptist. “Jemi një gjë e vetme”, në impenjimin për paqe, ashtu siç simbolizohej nga procesioni i fëmijëve me qiri në duar, drejt gurrës së Pagëzimit.

24 shtator 2018, 11:57