Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku në Aglona të Letonisë Papa Françesku në Aglona të Letonisë  (Vatican Media)

Papa në Aglona: mikpritje pa diskriminim; vetëm, s’kemi të ardhme

Mikpritje pa diksriminim, pa menduar se, të vetëm, do të kemi më tepër begati e siguri. Kështu, Papa, në meshën e kremtuar në shenjtëroren e Nënës së Zotit, në Aglona të Letonisë.

R.SH. - Vatikan

Takimi i fundit i Papës Françesku në Letoni është mesha e kremtuar në shenjtëroren e Nënës së Zotit, në Aglona, ku Ati i Shenjtë shkon pas veprimtarive në Rigë. Aglona është një qytet i vogël, që njihet pikërisht për bazilikën, themeluar më 1700 nga fretërit dominikanë. Shën Gjon Pali II i pati dhënë titullin e “bazilikës së vogël” e në të nderohet fugurja e Nënës së Zotit të Aglonës. Qendër nevralgjike e devocionit ndaj Virgjërës, në një vend që ka njohur shtypjen naziste dhe komuniste, duke fituar pavarësinë vetëm në vitin 1991.

Shën Maria pranë të mënjanuarve

Duke u nisur nga motoja e udhëtimit në Letoni – “Na u duk o Nënë” – Papa komenton Ungjillin sipas Gjonit, që sot pasqyron dasmën e Kanës, dhe përvijon mënyrën me të cilën Zoja i duket botës, por edhe çfarë i tregon e i mëson asaj për mënyrën si mund të qëndrohet pranë Krishtit. Maria, nënvizon Papa në homeli, qëndron e mbërthyer në këmbët e kryqit, përkrah të Birit, ashtu siç rri pranë atyre, për të cilët bota as që pyet, pranë “të gjykuarve, të dënuarve nga të gjithë, të dëbuarve”. Nuk është vizitë e shkurtër, as ndonjë “turizëm solidar”. Të marrim shembull prej Zojës, thotë Papa, e ata që vuajnë e që mënjanohen të na ndjejnë pranë, në mënyrë që ashtu si Maria, edhe ne t’i prekim me dorë plagët e Birit të vet tek të tjerët.

Dëshmia e faljes së imzot Sloskans

         Maria na tregohet edhe si grua e faljes, që nuk kërkon hakmarrje. Papa kujton periudhën e nazizmit e atë sovjetike në Letoni, por thekson edhe se plagët e së kaluarës nuk duhet të na pengojnë të shohim drejt së ardhmes. Përmend një figurë të bukur të Kishës letone, atë të imzot Boleslav Sloskans, që jetoi nga viti 1927 deri më 1933 në gulagët sovjetikë, dënuar për spiunazh. Natyrisht, akuzë e stisur. Papa kujton fjalët, që ipeshkvi u shkruante prindërve: “Jua kërkoj nga thellësitë e zemrës: mos e lejoni hakmarrjen, ose dëshpërimin, të hapë rrugë në zemrat tuaja. Nëse do ta lejonim këtë, nuk do të ishim të krishterë të vërtetë, por fanatikë”.

         “Në kohë, në të cilat duket se po kthehen mendësi, që na ftojnë të mos u besojmë të tjerëve, që me statistika duan të na tregojnë se do të jetonim më mirë, do të kishim më tepër begati, më tepër siguri, sikur të ishim vetëm, Maria e dishepujt e kësaj toke na ftojnë të mirëpresim, të mbështetemi sërish mbi vëllain, mbi vëllazërinë universale”.

Rreziku për t’u qëndruar të tjerëve pranë, pa i ndjerë ata

         Por, vëren Papa Françesku, ekziston rreziku i qëndrimit pranë dikujt, pa e ndjerë atë: mund të ndodhë kështu me bashkëshortët, me marrëdhëniet ndërmjet të rinjve e të rriturve, ose edhe me të moshuarit, kur e shohin se të bijtë kujdesen ftohtas për ta. E pikërisht Maria, përfundon Ati i Shenjtë, e ngre zërin që “në këtë shenjtërore, të gjithë të impenjohemi ta mirëpresim njëri-tjetrin pa diskriminime e, që të gjithë në Letoni ta dinë se jemi gati të privilegjojmë më të varfërit, t’i ndihmojmë të ngrihen në këmbë ata, që kanë rënë në jetë dhe t’i pranojmë të tjerët, ashtu si vijnë e si paraqiten para nesh”.

         Menjëherë pas meshës, Papa Françesku kthehet në kryeqytetin lituan, Vilnius, ku kalon natën, në përgatitje të udhëtimit të nesërm për në Estoni, etapa e fundit e shtegtimit të tij të 25-të apostolik ndërkombëtar.

24 shtator 2018, 16:30