Kërko

Papa Françesku, gjatë meshës në Talin të Estonisë Papa Françesku, gjatë meshës në Talin të Estonisë 

Mesha e Papës në Talin: “të lirë, jo për t’u skllavëruar nga konsumizmi”

Në meshën e kremtuar në Talin të Estonisë, zonë kufitare ndërmjet vendeve të Natos dhe Rusisë, Papa Françesku fton të mos i besojmë forcës së armëve e të sillemi si populli i Zotit – i zgjedhur, meshtarak e i shenjtë.

R.SH. - Vatikan

“Nganjëherë, disa mendojnë se forca e një populli matet sot nga parametra të tjera. Dikush flet me ton më të lartë… ka nga ata që britmave u shtojnë edhe kërcënimin me armë, disllokimin e trupave, strategjitë…Ky është ai, që duket si më i forti”. Por nuk e kërkon vullnetin e Zotit. Është qëndrim që “fsheh në vetvete refuzimin e etikës e me të, të vetë Zotit”. Papa Françesku e përfundon udhëtimin e tij apostolik në Vendet Balltike me kremtimin e meshës në Sheshin e Lirisë, në Talin, kryeqytet i Estonisë, duke shqiptuar një homeli, e cila përmban – megjithëse jo të thëna shprehimisht – faktet gjeopolitike të kohëve të fundit. Në Kaliningradin e afërt, Moska ka ripozicionuar raketën bërthamore Iskander, ndërsa Nato ka dërguar trupa dhe armatime në republikat balltike, duke e rritur kështu tensionin.

Nuk e keni fituar lirinë për t’u bërë skllevër të konsumizmit

         Në një vend ku 70% e popullsisë deklaron se nuk beson në Zotin, rreth 10 mijë vetë marrin pjesë në kremtimin e meshës. Ndër ta, edhe jo katolikë. “Ju – u thotë estonëve Papa, gjatë homelisë – nuk e keni fituar lirinë për të përfunduar skllevër të konsumizmit, të individualizmit e të etjes për pushtet e mbizotërim”. Papa e di se shumica e estonëve, sot, janë pa Zot. Por i paralajmëron se kështu, nuk e kuptojnë se udhëtojnë në jetë si jetimë, pa një shtëpi, ku të kthehen.

Popull i zgjedhur, popull “në dalje”

         Duke komentuar episodin biblik, në të cilin hebrenjtë adhurojnë Viçin e artë, në vend të Zotit të vërtetë, Papa u bën thirrje estonëve të jenë popull “i zgjedhur, meshtarak e i shenjtë”, siç kërkon Hyji. Të zgjedhur, sqaron Bergoglio, nuk do të thotë të jemi ekskluzivë apo sektarë. “Jemi – saktëson – një tharm i vogël, që duhet të fermentojë krejt masën, që nuk fshihet e as mënjanohet, që nuk e konsideron veten më të mirë e më të pastër”. Populli i Zotit është popull në “dalje”, nënvizon Ati i Shenjtë, popull, që fluturon lart me guxim, i mbrojtur vetëm prej Hyjit.

Popull meshtarak e i shenjtë

         Të dalim si “meshtarë”, kërkon Papa, i cili flet për “artin e shoqërimit”, që do të thotë afërsi me njerëzit, respekt e dhembshuri për ta, aftësi për t’i shëruar plagët e tyre, për t’ua zgjidhur problemet e për t’i nxitur të shkojnë më lart në jetën e krishterë.

         E së fundi, Ati i Shenjtë u thotë estonëve të jenë popull i shenjtë, por me atë shenjtëri, që nuk mbahet për vete. Vetëm shenjtëria e jetuar, nënvizon, përhapet, rrjedh, fekondon gjithçka, që i kalon pranë. Papa i nxit estonët të ndihmojnë njëri-tjetrin, pa pritur që këtë ta bëjë shteti, ose dikush tjetër, që vjen pas tyre, por duke parë tek vëllai fytyrën e Krishtit.

Bukuria e lirisë

         Françesku i lutet Zotit t’i rizgjojë zemrat e estonëve, t’u japë dhuratën e Shpirtit Shenjt për të shqyrtuar, në çdo çast të historisë, “si të jenë të lirë, si të përqafojnë të mirën e të ndjehen të zgjedhur, si ta lënë Zotit të shtojë, në Estoni e në botën mbarë, kombin e vet të shenjtë, popullin e vet meshtarak”.

         Pas meshës, Papa Françesku niset nga aeroporti ndërkombëtar i Talinit për në Romë.

25 shtator 2018, 16:48