Kërko

Thirrja e Papës për Sirinë: në prag të katastrofës humanitare

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri thirrje për Sirinë, duke e ftuar edhe një herë bashkësinë ndërkombëtare të punojë në frontin e diplomacisë dhe të bisedimeve, për të shpëtuar jetë njerëzore.

R. SH. - Vatikan

Shqetësimi i Papës për situatën në Siri është shumë i fortë. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi “lajmet tejet shqetësuese” ardhur nga kjo zonë, që rrezikohet “nga një katastrofë e mundshme humanitare”. Prej këndej, u drejtohet të gjithë atyre, që kanë të bëjnë me të, të mos i kursejnë përpjekjet, posaçërisht për të shpëtuar jetën e njerëzve të pafajshëm.

“Të dhemb, kur dëgjon se vijojnë të fryjnë erërat e luftës e arrijnë lajme shqetësuese, që flasin për rrezikun e një katastrofe të mundshme humanitare në Sirinë e dashur, në provincën e Idlib. I përsëris thirrjen Bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë aktorëve të kësaj skene t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet e diplomacisë, të dialogut e të bisedimeve, duke respektuar të drejtën humanitare ndërkombëtare, për të shpëtuar jetën e civilëve”.

Alarm i OKB-së për Idlib-in

Këto ditë edhe OKB-ja foli për rrezikun e katastrofës humanitare, në rast të një sulmi të mundshëm në Idlib, në pjesën veri-perëndimore të Sirisë, fortesë e rebelëve xhihadistë. Në këtë qytet po afrohet ndeshja përfundimtare ndërmjet trupave të Damaskut, të mbështetura nga Rusia dhe Irani. Prej ditësh forcat qeveritare siriane dhe aleatët e tyre përgatiten të nisin operacionet në shkallë të gjerë, nga  toka e nga ajri, kundër milicëve rebelë që - sipas forcave të Damaskut - janë ngujuar në zonë, së bashku me njerëzit e lidhur me Al Qaeda-n. Rebelët, ditët e fundit, hodhën në erë dy ura të rëndësishme mbi lumin Oronte, që lidhnin Idlibin me provincën Hama, nën kontrollion qeveritar, në përpjekjen për ta penguar sulmin e Damaskut, të cilit i druhen.

Diplomacia, e mbledhur në Teheran

Po punohet në nivel diplomatik për të gjetur rrugëzgjidhjen ndërmjet palëve në konflikt dhe aleatëve të tyre si dhe për të krijuar korridore humanitare në zonë. Në Teheran, më 7 shtatorin e ardhshëm, parashikohet një takim i ri i Iranit, Rusisë e Turqisë, për të gjetur një rrugëdalje. Irani e Rusia mendojnë t’i japin goditjen përfundimtare xhihadistëve, ndërsa Turqia, dhëmb për dhëmb me SHBA-në,   kundërshton, nga frika e  flukseve të reja të refugjatëve në territorin e saj.  Pikërisht SHBA-të kanë shprehur shqetësimin e tyre përballë një gjakderdhjeje të re, të mundshme, ndërsa përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-ve në Siri, James Jeffrey, do të shkojë në Lindjen e Mesme për ta  njohur personalisht situatën e edhe për ta studiuar më hollësisht padinë e Moskës mbi sulmet e pandehura kimike.

02 shtator 2018, 15:01