Françesku kremton Meshën në Shën Martë Françesku kremton Meshën në Shën Martë 

Shën Martë. Papa: përballë atij, që kërkon shkandull, heshtje e lutje

Rifilluan sot Meshët kremtuar në Shën Martë e Papa Françesku, duke komentuar Ungjillin, kujtoi se dëshirës për “shkandull” e “përçarje”, mund t’i kundërvihesh vetëm me heshtje e lutje. “Zoti - uroi - na dhashtë hirin ta kuptojmë kur duhet folur e kur duhet heshtur”.

R. SH. - Vatikan

“E vërteta është e butë, e vërteta është e heshtur”, “me njerëz që kërkojnë  vetëm shkandull, që u pëlqen përçarja, rruga e vetme për t’u përshkuar është ajo e “heshtjes” dhe e “lutjes”. E nënvizoi Papa, duke rifilluar kremtimin e Meshës së mëngjesit në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Françesku u nis nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës (Lk 4, 16-30), në të cilin tregohet sesi Jezusi, kur u kthye në Nazaret, u prit me dyshim. Fjala e Zotit, e kristalizuar në këtë rrëfim, na krijon mundësinë të reflektojmë për mënyrën si duhet vepruar në jetën e përditshme, kur krijohen mosmarrëveshje e të kuptojmë “sesi ati i mashtrimit, akuzuesi, djalli,  punon pa u lodhur kurrë për të rrënuar unitetin e një familjeje, të një populli”.

Asnjë profet nuk mirëpritet në Adheun e vet

Si arriti në sinagogë, u rrethua me kureshtje të madhe. Të gjithë donin t’i shikonin me sytë e tyre veprat e Tij të mëdha, që  flitej se i kish bërë në troje të tjera. Po  i Biri i Atit qiellor përdor vetëm Fjalën e Zotit, e po atë, “edhe kur dëshiron të ngadhënjejë mbi djallin”. E pikërisht kjo sjellje plot përvujtëri, mbjell “dyshimin”, që e ndryshom sakaq atmosferën. Nga paqja, në luftë; nga mahnitja, në përbuzje! Me heshtjen e Tij,  Jezusi fiton mbi qentë e tërbuar, e mposht djallin, që kishte mbjellë gënjeshtrën ndër zemra:

“Nuk ishin njerëz,  ishin një zhgan qensh të tërbuar, që e dëbuan nga qyteti. Nuk arsyetonin, çirreshin. Ndërsa Jezusi i shikonte e heshtëte. E çuan buzë një gremine, për ta rrokullisur tatëpjetë. Ky fragment i Ungjillit përfundon me fjalët; ‘Por Ai, duke kaluar në mes tyre, u vu për udhë’. Ky, dinjiteti i Jezusit: me heshtjen e tij e mundi lukuninë e qenve të tërbuar e iku e shkoi, sepse nuk kishte ardhur ende ora! E njëjta gjë do të ndodhte edhe të Premten e Madhe: njerëzit, të cilët të Dielën e Larit e rrethuan me atmosferë feste e brohoritën për të: ‘Bekuar qofsh Ti, Biri i Davdit!’ , do të gërthisnin sa u hante zëri: “Kryqëzoje!”: brenda javës ndërruan mendim. Kaluan nga brohoritë, në britma. Djalli u mbolli  mashtrimin në zemra. E Jezusi e shikonte gjithçka në heshtje të plotë!".

E vërteta është e butë

Kjo - pohoi Papa - na mëson se kur jemi përballë njerëzve, që reagojnë kështu, që nuk duan ta shikojnë të vërtetën, s’mbetet tjetër, veçse të heshtësh:

“Heshtje, që fiton, por përmes Kryqit! Heshtja e Jezusit. Sa e sa herë në familje  ia nisin sherret për politikën, sportin,  paratë, sherre që vijojnë e vijojnë, duke  arritur deri atje, sa t’i shkatërrojnë familjet. Heshtje! Thuaje fjalën tënde, e pastaj hesht!....Sepse e vërteta është e butë! Është e heshtur e vërteta! E vërteta nuk është potermadhe. Kjo, që bëri Jezusi, s’është aspak e lehtë: por është dinjiteti i të krishterit, që beson në forcën e Zotit. Me njerëz, që nuk kanë vullnet të mirë, që kërkojnë vetëm sherr, që kërkojnë vetëm shkatërrim, edhe në familje: heshtje! E lutje!”.

Dinjiteti i fitores së Ngjalljes   

Papa Françesku përfundoi me këtë lutje:

“Zoti na dhashtë hirin të kuptojmë kur duhet të flasim e kur, të heshtim. E këtë, përherë e kudo: në punë, në shtëpi, në shoqëri…gjithë jetën! Kështu do t’i përngjajmë përherë e më shumë Jezusit!”.

03 shtator 2018, 12:10