Kërko

VATICAN ALBANIA POPE AUDIENCE VATICAN ALBANIA POPE AUDIENCE 

Presidenti Ilir Meta në takim me Papën: intervista e Vatican News

Në intervistën e tij për Vatican News, presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, jep përshtypjet e tij për takimin e sotëm me Papën Françesku në Vatikan dhe përshkruan argumentet e trajtuara në bisedën me të e me autoritetet e tjera të Selisë së Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

“Paraditen e sotme, 17 shtator 2018, Ati i Shenjtë Françesku priti në audiencë, në Pallatin Apostolik, në Vatikan, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, z. Ilir Meta, i cili, më pas, u takua me Hirësinë e Tij, kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga Rev. imzot Antoine Camilleri, zv-Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet”.

Komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit

         Me këto fjalë fillon komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, që njofton për takimin e Papës me presidentin shqiptar, sot, në orën 9.30. “Gjatë bisedës së përzemërt, u vunë në dukje marrëdhëniet pozitive të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë – vijon më tej deklarata – si edhe kontributi i Kishës Katolike lokale në të mirë të krejt shoqërisë shqiptare, veçanërisht, të të rinjve. Në këtë kuadër, u fol për temat me interes të përbashkët, ndër të cilat, rëndësia e promovimit të lirisë fetare dhe të bashkëjetesës paqësore, si edhe vazhdimësia në impenjimin në favor të dialogut ndërfetar e ndërkulturor.

         [Palët] u ndalën edhe në rrugën e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si edhe shqyrtuan disa çështje në kuadrin ndërkombëtar, në veçanti, gjendjen në Ballkanin perëndimor”.

Intervista me presidentin Ilir Meta

         Këtu përfundon deklarata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Menjëherë pas takimit me Papën, i drejtuam mikrofonin vetë presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, për përshtypjet nga audienca me Françeskun, për një koment mbi çështjet e trajtuara gjatë saj dhe për takimin me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin. Ta dëgjojmë, në intervistën e don David Xhuxhës

Dëgjo intervistën me presidentin e Shqipërisë, z. Ilir Meta...

Temat kryesore të intervistës me presidentin e Shqipërisë, z. Ilir Meta

Ngjarje historike

         “Është ngjarje historike jo vetëm për mua e për familjen time, por edhe për vendin e për popullin tim”, tha presidenti i Shqipërisë. Takimi me Papën Françesku qe i përzemërt e miqësor, komenton z. Ilir Meta, i cili vë në dukje vizitën e Papës në vitin 2014 dhe përgjigjen, që Ai vetë i dha një gazetari, i cili, në atë rast, e pyeti: “Pse Shqipëria?” Ati i Shenjtë iu përgjigj: “Për të dhënë një sinjal”. E ky sinjal i Atit të Shenjtë hapi një shteg themelor për popullin shqiptar, i cili, nënvizon presidenti në intervistë, po përgatitet të hyjë në Bashkimin Evropian. Gjatë bisedës, Papa pati fjalë inkurajimi për shqiptarët, duke i ftuar të ecin sipas vlerave, që i bashkojnë vendet evropiane.

Kujdesi për të rinjtë dhe familjet

         Ati i Shenjtë, vijon më tej z. Ilir Meta në intervistë, kërkoi vëmendje të veçantë për rininë shqiptare, kërkoi investime për të ardhmen e saj, në mënyrë që të ndalen flukset e emigracionit. Gjithashtu, theksoi në bisedë rëndësinë e politikave në favor të familjes, si qelizë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare. Nxiti edhe të mbahet gjallë dialogu konstruktiv me fetë e me shtetet e tjera.

Lidhje të fuqishme me Papën Françesku

         Vetë presidenti i Shqipërisë e falenderoi disa herë Papën Françesku për gjithçka ka bërë për shqiptarët, për gatishmërinë dhe inkurajimin e tij. Ka treguar gjithnjë se e ka për zemër fatin e këtij kombi, të këtij populli martirësh, që ka vuajtur shumë gjatë regjimit komunist. Z. Ilir Meta përmend shenjtërimin e Nënë Terezës, lumnimin e 38 martirëve, krijimin e kardinalit Ernest Simoni-Troshani, emërimin e ipeshkvijve të rinj dhe ngritjen e Kosovës në rang dioqeze. Të gjitha, gjeste, që presidenti i vlerëson si vëmendje e veçantë ndaj popullit shqiptar.

Drejt Evropës. Intuita e Skënderbeut

         Duke shprehur kënaqësinë e tij për konsolidimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë e duke pasur parasysh Vitin Mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, presidenti i Shqipërisë nënvizon impenjimin për një të ardhme më të mirë, bazuar mbi ato vlera, që karkaterizuan jetën dhe veprën e Kastriotasit, i cili, që në shekullin XV, pati intuitën e jashtëzakonshme ta drejtonte tokën arbërore drejt bashkimit me idealet evropiane.

17 shtator 2018, 11:34