Kërko

Papa Françesku takohet me anëtarët e Shoqatës japoneze "Tensho Kenoh Shisetsu Kenshoukai" Papa Françesku takohet me anëtarët e Shoqatës japoneze "Tensho Kenoh Shisetsu Kenshoukai" 

Papa: vitin tjetër, shpresoj të shkoj në Japoni

Papa Françesku shpreh sot dëshirën që të shkojë së shpejti në Japoni. E bën këtë, duke folur pa letër, në sallën ngjitur me atë të Palit VI, ku takohet me disa anëtarë të Shoqatës japoneze “Tensho Kenod Shisetsu Kenshoukai”.

R.SH. - Vatikan

Duke përfituar nga kjo vizitë, dëshiroj t’ju njoftoj vullnetin tim për të vizituar Japoninë, vitin e ardhshëm. Shpresojmë ta kemi këtë mundësi. Kështu u tha Papa, pa pritur e pa kujtuar, një grupi të Shoqatës japoneze “Tensho Kenod Shisetsu Kenshoukai”, të cilët i priti në Vatikan, para audiencës së përgjithshme.

Kujtimi i udhëtimit të parë të 4 japonezëve në Evropë

 Papa Françesku kujton se gati 400 vjet më parë, në vitin 1585, katër të rinj japonezë mbërritën në Romë, të shoqëruar nga disa misionarë jezuitë, për të vizituar Papën e atëhershëm, Gregorin XIII. “Ishte hera e parë që një grup përfaqësuesish të vendit tuaj të madh vinte në Evropë”, thekson Françesku, duke nënvizuar mikpritjen, që iu rezervua japonezëve, jo vetëm në Romë:

Evropianët takohen me japonezët e japonezët takohen me Evropën e me zemrën e Kishës Katolike. Takim historik ndërmjet dy kulturave e dy traditave të mëdha shpirtërore, kujtimin e të cilit duhet ta ruajmë, siç bën shoqata juaj.

Të jeni ambasadorë të miqësisë e të vlerave

 Sot, delegacioni bën një udhëtim më të shkurtër se atëherë, por mikpritja nuk ka ndryshuar, siç pohon Papa:

Unë shpresoj se jeni ndjerë të mirëpritur nga Papa, ashtu siç qenë edhe ata e, si ata, shijojeni gëzimin e këtij takimi e me guxim, kthehuni në vendin tuaj si ambasadorë të miqësisë e si nxitës së vlerave të mëdha njerëzore e kristiane.

Feja, kultura dhe ekonomia mund të bashkëpunojnë

Ata të rinj, 400 vjet më parë, qenë të aftë ta bënin këtë: njëri u shugurua meshtar, tjetri e dëshmoi me martirizim fenë e vet e sot, është i Lum. Papa i inkurajon anëtarët e shoqatës së lidhur me jezuitët e Japonisë, të hartojnë projekte kulture e solidariteti e shpreh kënaqësinë që është realizuar një fond për formimin e të rinjve e jetimëve, falë kontributit të ndërmarrjeve të ndryshme japoneze. Sipas Françeskut, kjo është dëshmia se “feja, kultura dhe bota ekonomike mund të bashkëpunojnë paqësisht për të krijuar një botë më njerëzore, të karakterizuar nga ekologjia e gjithanshme. Është rruga e drejtë për të ardhmen e shtëpisë sonë të përbashkët”, përfundon Papa.

12 shtator 2018, 14:57