Papa, katolikëve hispanjollë në SHBA: takimi i kulturave sjell kulturën e takimit

Videomesazh i Papës Françesku për Takimin e pestë kombëtar të katolikëve hispanjollë, në program deri më 23 shtator, në Grapevine të Teksasit.

R.SH. - Vatikan

“Kultura të ndryshme, mënyra të ndryshme të jetuari, të menduari, takohen e kështu, ecet në shpresë. I keni vënë objektiv vetes të arrini një mënyrë tjetër për të jetuar e për të krijuar marrëdhënie, që inkurajon çdo njeri e çdo grup ta ndajë pasurinë e traditave të veta, pasurinë e përvojës së vet me të tjerët, si edhe të shembë muret për të ndërtuar ura”. Këtë nëvizon Papa Françesku, në videomesazhin për Takimin e pestë kombëtar të katolikëve hispanjollë të SHBA-ve, në program deri më 23 shtator, në Grapevine të Teksasit. “Shoh që Takimi i pestë – shton Ati i Shenjtë – është një mënyrë konkrete e Kishës së SHBA-ve për t’iu përgjigjur sfidës së ‘daljes’ nga çdo lloj rehatie e për t’u shndërruar në tharm bashkimi me të gjithë ata, që kërkojnë një të ardhme shprese, sidomos me të rinjtë e me familjet, të cilat jetojnë në periferi të shoqërisë”.

Ngushëllim për shumë emigrantë

“E di se procesi i këtij Takimi të pestë – pohon Papa – i ka ngushëlluar shumë emigrantë, që jetojnë në gjendje frike dhe pasigurie. Takimi i pestë i ka bërë ta ndjejnë më shumë bashkimin, miqësinë, mbështetjen. Është edhe një mjet hiri, që ka sjellë kthimin e zemrave të shumë njerëzve”. Françesku vë në dukje edhe ndryshimin e baritorisë së Kishave të veçanta, të famullive, të kolegjeve, të çdo lloj takimi kishtar. Ndryshim pozitiv, realizuar përmes takimit e adhurimit të Krishtit. “Jam i vetëdijshëm – thotë Papa në videomesazh - për kontributin, që jep bashkësia hispanjolle në jetën e kombit dhe lutem që Takimi i pestë të vazhdojë të kontribuojë në rinovimin e shoqërisë e të apostullatit të Kishës në SHBA”.

Takimi i katolikëve hispanjollë në SHBA

         Takimi i Grapevine përqendrohet mbi temën “Dishepuj misionarë:dëshmitarë të Zotit”. Objektivi kryesor i tij është të reflektojë mbi përgjigjen, që i jep Kisha amerikane, pranisë së hispanjollëve dhe të latinoamerikanëve në SHBA, në mënyrë që ata të marrin pjesë në jetën e saj si dishepuj misionarë. Në fazën përgatitore, para hapjes së Takimit, më se 5 mijë famulli kanë marrë pjesë në procesin e konsultimit, ku janë takuar kultura të ndryshme të Amerikës Latine.

21 shtator 2018, 12:36