Kërko

2018-09-06-partecipanti-convegno-internaziona-1536230232066.JPG

Papa, vejushave të shuguruara: dëshmoni ëmbëlsinë e Zotit

Në Sallën e Koncistorit, Papa Françesku takon pjesëmarrëset e Kuvendit ndërkombëtar për vejushat e shuguruara dhe shpreh mirënjohjen për sa “dëshmojnë” në botë “dashurinë e Zotit”. Përshëndetje e veçantë për anëtaret e Vëllazërisë së Zojës së Ringjalljes dhe për ato të Bashkësisë së shën Anës profeteshë.

R.SH. - Vatikan

“Kini kujdes, përmes përvojës së vetë brishtësisë suaj, t’u qëndroni afër të vegjëlve dhe të varfërve, për t’u treguar atyre ëmbëlsinë e Zotit e afërsinë e dashurisë së Tij”. Me këtë këshillë, u drejtohet sot Papa Françesku, pjesëmarrëseve të Kuvendit ndërkombëtar për vejushat e shuguruara, të cilat i priti në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizon se të jesh vejushë është “përvojë veçanërisht e vështirë” dhe shpreh mirënjohjen për ato gra, që pas humbjes së bashkëshortit, kanë vendosur ta ndjekin Krishtin, duke bërë kushtet e pastrisë, të bindjes e të varfërisë.

         “Kështu, me shugurimin tuaj – u thotë Papa – ju dëshmoni se është e mundur që, me hirin e Tënzot dhe me mbështetjen e shoqërimin e meshtarëve dhe të anëtarëve të tjerë të Kishës, të jetohen këshillat ungjillore në ushtrimin e përgjegjësive familjare, profesionale dhe shoqërore”.

Në sprova, shpresa e Ungjillit

         Ҫdo i pagëzuar, nënvizon Papa Bergoglio në fjalën e tij, i veshur me dashurinë e mëshirshme të Zotit, është i thirrur të përshkojë një “rrugë jete e shenjtërie, që na lejon të kapërcejmë sprovat dhe të rilindim në shpresën e në gëzimin e Ungjillit”. Me Zotin në zemër e duke dëgjuar fjalën e Tij, thekson Ati i Shenjtë, është e mundur të gjenden guximi e këmbëngulja e dhurimit të vetvetes për të tjerët.

Tharmi i dashurisë

         “Zoti mund të veprojë në çdo rrethanë, edhe në mesin e dështimeve në dukje”, përfundon Papa Françesku. Vejushat e shuguruara janë të thirrura të dëshmojnë “dashurinë e Zotit”, të jenë “tharm në brumin e kësaj bote, dritë për ata, që ecin në terr e në hijen e vdekjes”.

         “Me cilësinë e jetës suaj vëllazërore – këshillon Papa – në gjirin e bashkësive tuaja, kini kujdes, përmes përvojës së vetë brishtësisë suaj, t’u qëndroni afër të vegjëlve dhe të varfërve, për t’u dëshmuar atyre ëmbëlsinë e Zotit dhe afërsinë e dashurisë së Tij”.

06 shtator 2018, 14:44