Takimi i Papës me pjesëmarrësit e kursit të formimit për martesën e familjen, organizuar nga Rota Romake Takimi i Papës me pjesëmarrësit e kursit të formimit për martesën e familjen, organizuar nga Rota Romake 

Papa: të dëshmohet bukuria e martesës; pranë çifteve në krizë

Duke u takuar në Lateran me pjesëmarrësit e kursit të formimit për martesën e familjen, Ati i Shenjtë uron një “katekumenat të vazhdueshëm” për çiftet. Nxit të ndihmohen bashkëshortët në krizë të rizbulojnë hirin e Sakramentit, por, në disa raste, të shoqërohen drejt procesit të pavlefshmërisë së martesës.

R.SH. - Vatikan

Kisha duhet të mirëpresë edhe çiftet, që bashkëjetojnë. Për të martuarit, është i nevojshëm një shoqërim kishtar edhe në vitet pas martesës. Papa Françesku prek edhe një herë temat e Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia”, në takimin e djeshëm me pjesëmarrësit e Kursit të formimit, organizuar nga dioqeza e Romës dhe nga Gjykata e Rotës Romake mbi “Martesën e familjen”. Në audiencën e pasdites, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, ishin të pranishëm famullitarë, diakonë, bashkëshortë dhe veprimtarë të baritorisë familjare.

         Uroj – thotë Ati i Shenjtë – që horizonti i baritorisë familjare dioqezane të zgjerohet gjithnjë e më shumë, duke marrë stilin tipik të Ungjillit, duke takuar e mirëpritur edhe ata të rinj, që vendosin të bashkëjetojnë pa u martuar. Duhet t’u dëshmojmë atyre bukurinë e martesës!

         Për Papën Françesku është e nevojshme që Kisha t’i mbajë dyert e hapura e afërsia e saj të mos ndalet vetëm tek “çiftet e rregullta”, pasi pikërisht ato, që konsiderohen si jashtë normave, kanë më tepër nevojë për fjalën e praninë e krejt bashkësisë së krishterë. Ati i Shenjtë bën thirrje të jemi “veprimtarë të paqes e të ngushëllimit, sidomos për njerëzit, që kanë më tepër nevojë për mbështetje e kujdes baritor”.

Të shoqërohen vazhdimisht çiftet, edhe pas martesës

         Përsa i përket martesës, Françesku nënvizon se ajo nuk është vetëm “ngjarje shoqërore”, për të shkuar në kishë të veshur bukur e për të bërë festë, por “Sakrament i vërtetë, që kërkon përgatitje të përshtatshme dhe kremtim të vetëdijshëm”. Lidhja martesore kërkon nga të fejuarit “një vendim të ndërgjegjshëm, që e ka qendrën në vullnetin për të ndërtuar së bashku diçka, e cila nuk duhet tradhtuar apo braktisur kurrë”.

         "Në dioqeza të ndryshme të botës – shpjegon Bergoglio – po ndërmerren nisma për t’ia përshtatur baritorinë familjare gjendjes aktuale”, duke nënkuptuar, së pari, “shoqërimin kishtar të të fejuarve drejt martesës”.

Bashkëshortët me përvojë të dëshmojnë për të rinjtë

         Sipas Papës, të fejuarit duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në seminare dhe në ushtrime shpirtërore e lutje, ku drejtuesit të mos jenë vetëm meshtarë, por edhe çifte të konsoliduara, me përvojë familjare, si edhe ekspertë në disiplinat psikologjike. Problemet pas martesës, nënvizon Ati i Shenjtë, e kanë zanafillën në papjekurinë e çiftit, por edhe në mungesën e një feje të qëndrueshme e në mangësitë e shoqërimit kishtar, që i lë bashkëshortët vetëm. E kështu, ata e ndjejnë veten të papërshtatshëm për martesë, sidomos kur përballen “me rëndësinë dhe vlerën e martesës së krishterë, përsa u përket çështjeve konkrete që lidhen me pazgjidhshmërinë e saj e deri tek transmetimi i jetës e tek besnikëria”.

         Prandaj, Papa thekson nevojën e katekumenatit të vazhdueshëm për sakramentin e martesës, i cili ta shoqërojë çiftin gjatë përgatitjes, gjatë kremtimit e edhe pas martesës, të paktën për vitet e para të jetës bashkëshortore.

Në raste të veçanta, shoqërimi drejt pavlefshmërisë së martesës

         E megjithatë, në rastet kur bashkëshortët hyjnë në krizë të rëndë e kanë probleme serioze, “për t’u vlerësuar me drejtësi e liri të brendshme”, nënvizon Ati i Shenjtë, “duhen dhënë këshilla të përshtatshme për të ndërmarrë udhën e procesit të anulimit”, pra, të shpalljes së pavlefshmërisë së martesës.

         Ata, që e kuptojnë se bashkimi i tyre nuk është martesë e vërtetë sakramentore e duan të dalin nga kjo gjendje, – përfundon Papa –  duhet të kenë mundësi të gjejnë tek ipeshkvijtë, meshtarët dhe veprimtarët baritorë, mbështetjen e nevojshme, e cila shprehet  jo vetëm në komunikimin e normave juridike, por, para së gjithash, përmes dëgjimit e mirëkuptimit.

28 shtator 2018, 13:55