Kërko

Papa Francesku takohet me të rinjtë e dioqezës franceze Grenoble-Vienne Papa Francesku takohet me të rinjtë e dioqezës franceze Grenoble-Vienne 

Papa: seksualiteti është dhuratë e Zotit, dashuria e vërtetë është plot pasion

Dialogu i Papës Françesku me të rinjtë francezë, që i takoi pardje. Përmbajtja e bisedës u bë e njohur dje e shkon nga tema e seksualitetit tek impenjimi i të krishterëve në shoqëri.

R. SH. - Vatikan

Të këqiat, që mundojnë Kishën, afërsia me të varfërit, thirrjet, seksualiteti, impenjimi i të krishterëve në shoqëri. Këto janë temat e bisedës së Papës Françesku me një grup të rinjsh francezë, nga dioqeza e Grenoble-Vienne, të cilat u bënë të njohura dje nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjeve të rreth 20 të rinjve nga 14 vjeç e sipër. Pyetje, që ai vetë i quajti realiste, duke u përgjigjur me pasion, me shembuj konkretë e haptas.

Seksualiteti është dhuratë e Zotit

         Natyrisht, të gjitha gazetat e sotme janë mbushur me tituj bombastikë mbi fjalët e Papës mbi seksualitetin. Duke nënvizuar se në to nuk ka asnjë revolucion, në krahasim me qëndrimin aktual të Kishës, ja çfarë tha Françesku:

         “Seksualiteti, seksi, është dhuratë e Zotit. Asnjë tabu. Është dhuratë e Zotit, dhuratë që na e jep Hyji. Ka dy qëllime: ta duam njëri-tjetrin dhe të krijojmë jetë të re. Është pasion, është dashuri e apasionuar e të nxit ta japësh jetën përgjithmonë. E ta japësh me korp e me shpirt. Kur Zoti krijoi burrin e gruan, Bibla thotë se të dy janë në përngjasim e në shembëlltyrë me Zotin. Të dy bashkë, jo vetëm Adami e jo vetëm Eva, por të dy bashkë – ensemble – të dy bashkë. E Jezusi shkon më tej e thotë: prandaj, burri e, edhe gruaja, do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohen e do të jenë… një person i vetëm? …një identitet i vetëm? …një fe e vetme në martesë? …Një korp(mish) i vetëm: kjo është madhështia e seksualitetit. E duhet folur për seksualitetin, kështu, në këtë përmasë: për dashurinë e burrit me gruan për gjithë jetën – vijoi Papa. – Është e vërtetë se dobësitë tona, problemet shpirtërore, na bëjnë ta përdorim seksualitetin jashtë kësaj rruge shumë të bukur të dashurisë ndërmjet burrit e gruas. Por janë rënie, si të gjitha mëkatet. Gënjeshtra, zemërimi, grykësia… Janë mëkate: mëkate mortare. Por, nuk është ky, seksualiteti i dashurisë: ky është seksualitet “i kthyer në mall për treg”, i shkëputur nga dashuria dhe i përdorur vetëm për argëtim.

Industria e seksit e shpërfytyron dashurinë

         Papa denoncoi pastaj industrinë, që i shfrytëzon mëkatet e njeriut për fitime. Por jo pa theksuar se “seksualiteti është çasti më i bukur i Krijimit, në kuptimin se burri dhe gruaja janë krijuar në përngjasim e në shembëlltyrë me Zotin, prandaj seksualiteti është më i sulmuari nga shpirti i kësaj bote, nga shpirti i së keqes”.

         “Më thuaj ti – iu drejtua të rinjve – a ke parë për shembull – nuk e di a ka në Grenoble – ndonjë industri të gënjeshtrës, ta zemë? Jo! Po një industri të seksualitetit të shkëputur nga dashuria, a e ke parë? Po! Sa para fitohen me industrinë e pornografisë, për shembull. Është degjenerim, në krahasim me nivelin ku e ka lartuar Zoti [seksualitetin]. E me këtë tregti bëhen para”. “Por seksualiteti është diçka e madhe – shtoi Papa. Mbrojeni përmasën tuaj seksuale, identitetin tuaj seksual. Ruajeni mirë. E përgatiteni për dashurinë, për të bërë pjesë të asaj dashurie, që do t’ju shoqërojë gjithë jetën”.

Papa Françesku tregoi dy episode

         Papa Françesku u tregoi të rinjve dy episode. “Në Sheshin e Shën Pjetrit, një herë – unë i përshëndes njerëzit në shesh – ishin dy të moshuar, që kremtonin 60-vjetorin e martesës. Ishin plot dritë! E i pyeta: ‘A jeni grindur shumë?’ – ‘Eh, nganjëherë…’ – ‘E megjithatë, ia vlen kjo martesë?’ – E këta të dy, që më shikonin mua, e kthyen vështrimin nga njëri-tjetri e pastaj sërish nga unë e, i kishin sytë të lagur me lot. Me thanë: ‘Dashurohemi’. Pas 60 vjetësh! E pastaj, doja t’ju tregoja një histori tjetër. Një herë, një i moshuar, po shumë i moshuar, së bashku me gruan, më tha: ‘Ne duhemi shumë e shumë e nganjëherë, përqafohemi. Nuk mund të bëjmë dashuri në moshën tonë, por përqafohemi, puthemi…’. Ky është seksualiteti i vërtetë. Kurrë, i ndarë nga ajo ndjenjë kaq e bukur, që është dashuria. Duhet folur kështu për seksualitetin. Kuptuat?”

19 shtator 2018, 08:42