Takimi i Papës Françesku me Shoqatën italiane të Prindërve Takimi i Papës Françesku me Shoqatën italiane të Prindërve 

Papa, prindërve: për edukimin e fëmijëve, besim tek shkolla

Në sallën Pali VI, Papa Françesku takohet me anëtarët e Shoqatës italiane të Prindërve, në 50-vjetorin e themelimit, e thekson edhe një herë vlerat e familjes, të njëjta në gjithë botën.

R.SH. - Vatikan

Familja si “protagoniste e jetës shoqërore”, si edhe edukimi i brezave të rinj, për të cilin duhet bashkëpunuar ngushtë me shkollën. Këto janë temat, në qendër të fjalës së Papës Françesku për anëtarët e Shoqatës italiane të Prindërve, të cilët i priti sot paradite në Sallën Pali VI, në Vatikan. Në 50-vjetorin e punës së tyre në mbështetje të detyrës edukative të prindërve, sipas parimeve të etikës së krishterë, Papa u thotë:

         Kujdesi me të cilin, si shoqatë, vigjëloni mbi rreziqet, që minojnë jetën e më të vegjëlve, të mos ju pengojë ta shihni botën me besim, duke ditur të zgjidhni e t’u ofroni fëmijëve tuaj rastet më të mira për zhvillim njerëzor, qytetar e kristian.

Aleancë e re edukative e prindërve me shkollën

         Shkolla ka qenë dhe është “partneri kryesor i familjes në edukimin e fëmijëve”, edhe sot, pavarësisht se është pakësuar disi besimi ndërmjet dy institucioneve. Vërtet, nënvizon Papa, familja duket se “nuk e vlerëson më si dikur punën e mësuesve – shpesh të paguar keq – e këta të fundit e shohin me bezdi praninë e prindërve në shkollë”. Papa Bergoglio kërkon ndryshimin e kësaj mendësie dhe bashkëpunimin bujar ndërmjet palëve:

         Ju ftoj ta kultivoni e ta ushqeni gjithnjë besimin për shkollën e për mësuesit: pa ta, ka rrezik të mbeteni vetëm në veprimtarinë tuaj edukative e të jeni gjithnjë e më pak në gjendje të përballoni sfida të reja edukative, që vijnë nga kultura bashkëkohore, nga shoqëria, nga mass media, nga teknologjitë e reja.

Për të edukuar një fëmijë, duhet gjithë fshati

         Nëse, nga njëra anë, “është e drejtë të ankohemi për kufizimet” në veprimtarinë e disa mësuesve, nga ana tjetër, “e kemi për detyrë t’i vlerësojmë si aleatët më të çmuar në edukimin” e fëmijëve. Papa Françesku fton për dialog, për ndihmë reciproke, sipas një proverbi të lashtë afrikan: “Për të edukuar një fëmijë, duhet gjithë fshati”.

         Pa komunikim të vazhdueshëm e pa besim reciprok nuk krijohet bashkësi e pa bashkësi, nuk arrijmë të edukojmë.

Shoqëria të jetë e përshtatshme për familjen

         Ati i Shenjtë siguron mbështetjen dhe përkrahjen e Kishës në këtë udhë delikate, për të “eliminuar vetminë edukative të familjeve” dhe për ta bërë “gjithë shoqërinë të përshtatshme për familjen, në mënyrë që çdo njeri të mirëpritet, të shoqërohet, të orientohet drejt vlerave të vërteta”. Vetëm kështu, do të jetë në gjendje të japë ç’ka më të mirë nga vetja, për zhvillimin e përbashkët të çdo vendi.

         Të dashur prindër, fëmijët janë dhurata më e çmuar, që keni marrë. Të dini ta ruani me impenjim e bujari, duke u lënë lirinë e nevojshme për t’u rritur e për t’u pjekur si njerëz që, një ditë, të jenë në gjendje t’ia hapin zemrën dhuratës së jetës. Mësojuni fëmijëve shoshitjen morale, shoshitjen etike: kjo është e mirë, kjo jo dhe aq, e kjo është e keqe. Të dinë të dallojnë.

07 shtator 2018, 14:16