Cerca

Vatican News
Papa Françesku në takimin me anëtarët e ANMIL Papa Françesku në takimin me anëtarët e ANMIL  (Vatican Media)

Papa për ANMIL: njeriu nuk është mall, duhet kulturë e re e punë

Bota ka nevojë për një hov të ri humaniteti që të kapërcejë indiferencën e të mbrojë të brishtët, duke çrrënjosur virusin e shfrytëzimit. Kështu Papa, gjatë audiencës me anëtarët e Shoqatës italiane të Punëtorëve të Gjymtuar dhe të Invalidëve të Punës.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në Sallën Klementine, në Vatikan, anëtarët e Shoqatës italiane të Punëtorëve të Gjymtuar dhe të Invalidëve të Punës, ANMIL, duke u drejtuar fjalë, që vlejnë për botën e punës në gjithë planetin.

         Sa vetë, në punë, janë lënduar me pasoja të përhershme e ligështuese, jetojnë me vuajtje të veçanta, sidomos kur gjymtimi u pengon ta vijojnë punën e të sigurojnë jetën për vete e për familjarët e tyre, siç bënin më parë. Të gjithë këtyre u shpreh afërsinë time. Zoti e ngushëllon atë që vuan, pasi Ai vetë ka vuajtur, dhe bëhet i afërt me çdo gjendje ligështie e vështirësie.

Të mos ndërpritet solidariteti

         Duke u bërë thirrje qeverive të mos i prekin ligjet e normat, që shprehin solidaritetin e shoqërisë për invalidët e punës, pavarësisht se shpesh mungojnë burimet financiare, Ati i Shenjtë i nxit të ndërhyjnë vetëm aty ku është e nevojshme, duke ua prerë rrugën shpenzimeve të tepërta, siç kërkojnë rregullat e subsidiaritetit.

         Doktrina shoqërore e Kishës, nga e cila ju nxis të frymëzoheni gjithmonë, e përmend vazhdimisht këtë ekuilibër ndërmjet solidaritetit dhe subsidiaritetit. Ai duhet kërkuar e ndërtuar në çdo rrethanë e në çdo fushë shoqërore, në mënyrë që, nga njëra anë, të mos mungojë kurrë solidariteti e, nga ana tjetër, të mos kufizohemi vetëm në të, duke e bërë pasiv personin, që akoma mund të japë një kontribut të rëndësishëm në botën e punës. Ai duhet integruar aktivisht, duke shfrytëzuar aftësitë aktuale.

Njeriu nuk është mall

         Ky mësim i Kishës, vijon Papa, na ndihmon edhe të mos e ngatërrojmë punën me prodhimtarinë. Ҫdo njeri ka të drejtë të punojë, pavarësisht sa prodhon. Kështu, u jepet dinjitet punëtorëve dhe mbrohen të drejtat e më të ligshtëve, si ato të grave, të invalidëve, të të moshuarve, të emigrantëve.

         Stili i subsidiaritetit, që e përmenda tani, e ndihmon krejt bashkësinë civile të kapërcejë barazpeshimin e gabuar e të dëmshëm ndërmjet punës e prodhimtarisë, që e mat vlerën e njeriut mbi bazën e sasisë së mallrave apo të pasurisë që prodhon, duke e reduktuar në ingranazh të një sistemi e, duke i shpërfytyruar veçoritë dhe pasuritë e tij personale. Ky vështrim i sëmurë përmban në vetvete farën e shfrytëzimit e të skllavërimit dhe rrënjoset në një konceptim utilitarist të njeriut.

Më shumë ligje e vetëdije shoqërore

         Bota, nënvizon Papa, ka nevojë për një hov të ri humaniteti, duhet të hapë sytë e të shohë se ka përpara njeriun e jo mallin për treg. Këtu, denoncon Ati i Shenjtë, është në lojë vetë thelbi i demokracisë, që bazohet mbi respektin e mbi kujdesin për jetën e secilit. Prandaj, nevojitet një kuadër i përshtatshëm legjislativ, që t’u përgjigjet kërkesave të punëtorëve, por të krijojë edhe një vetëdije të re shoqërore, pa të cilën, ligjet do të mbeteshin në kartë, përfundon Papa Françesku.

20 shtator 2018, 16:14