Papa në takimin me “Patrons” e Muzeve të Vatikanit Papa në takimin me “Patrons” e Muzeve të Vatikanit 

Papa në takimin me “Patrons” e Muzeve të Vatikanit: arti, nevojë universale

Papa Françesku takohet, në Vatikan, me drejtuesit e “Patrons of the Arts”, financues të restaurimeve të kryeveprave në Muzetë e Vatikanit. Shoqata feston 35-vjetorin e themelimit. “Kundrimi i artit të madh, shprehje e fesë, na ndihmon të gjejmë ç’ka vërtet rëndësi në jetë”.

R.SH. - Vatikan

Arti vjen vetëm pas jetës, në dëshmimin e Zotit, sepse na lejon ta kuptojmë fenë, më tepër se shumë fjalë dhe ide. Arti ndan me fenë udhën e bukurisë. Kështu u thotë Papa Françesku drejtuesve të shoqatës “Patrons of the Arts in the Vatican Museums”, e cila mbledh financues të restaurimeve të kryeveprave në Muzeumet papnore. Ati i Shenjtë i pret në Sallën Klementine anëtarët e Shoqatës, që feston në Romë 35-vjetorin e themelimit.

Bujari, që shpëton kryeveprat e Muzeve

         Bujaria juaj, nënvizon Papa, “kontribuon në mënyrë të dukshme në restaurimin e shumë thesareve të artit, që ruhen në Muzetë e Vatikanit”, duke vijuar kështu, traditën e të gjithë atyre, që në shekuj, kanë subvencionuar “afresket dhe sarkofagët në katakombe, katedralet e mëdha romanike e gotike, veprat e Mikelanxhelos, të Rafaelit, Berninit e Kanovës”.

         Arti, në histori, është në vendin e dytë, vjen vetëm pas jetës, në dëshmimin e Zotit. Vërtet, ka qenë dhe është udhë kryesore, që na lejon ta kuptojmë fenë, më tepër se shumë fjalë dhe ide, sepse me fenë ndan të njëjtën udhë, atë të bukurisë. Ajo e artit, është bukuri, që i bën mirë jetës dhe krijon bashkim.

Arti e feja ndajnë të njëjtën udhë: bukurinë

         Arti, vijon Papa, bashkon Zotin, njeriun dhe gjithësinë në një simfoni të vetme; bashkon të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e, së fundi, tërheq në të njëjtin vend e drejton kah e njëjta bukuri vështrimin e njerëzve të ndryshëm e të popujve të largët. Prandaj, nxit Françesku, misioni i “Patrons” – Përkrahës të arteve e mecenatë – është ta ruajë këtë bukuri, kaq të dobishme për njeriun.

Arti i krishterë të larton mbi veten

         Së fundi, Ati i Shenjtë vë në dukje se arti i krishterë, ai vërtet i madh, është shprehje e fesë, që i ndihmon të gjithë të kuptojnë çfarë ka vërtet rëndësi në jetë.

         Në fakt, arti i krishterë të çon brenda vetes e të larton mbi veten: na kujton Dashurinë, që na ka krijuar, Mëshirën, që na ka shpëtuar, Shpresën, që na pret. Kështu, në botën tonë të shqetë, sot, fatkeqësisht, bërë copë-copë e shëmtuar nga egoizmat e logjikat e pushtetit, arti përfaqëson, ndoshta edhe më shumë se në të kaluarën, një nevojë universale, pasi është burim harmonie e paqeje. E shpreh përmasën e marrjes e dhënies falas.

28 shtator 2018, 16:22