Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.09.04 Messa Santa Marta 2018.09.04 Messa Santa Marta  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: ta rrëmojmë ndërgjegjen, për t’i bërë vend Shpirtit Shenjt

Duke kremtuar Meshën Shenjte në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Papa Françesku kujtoi se zemra e njeriut është si “fushë beteje”, ku ndeshen çdo ditë “shpirti i botës” me “Shpirtin e Zotit”.

R. SH. - Vatikan

“Zemra e njeriut është si një ‘fushë beteje’, ku ndeshen dy ‘shpirtra të ndryshëm’: njëri, ai i Zotit, na shtyn drejt veprave të mira, drejt bamirësisë, vëllazërimit; por është edhe tjetri, ai i botës, që na shtyn drejt kotësisë, mendjemadhësisë, vetëvlerësimit, përgojimeve”. Këtë nënvizoi Papa Françesku, duke kremtuar Meshën në Shën Martë. Pikënisja e reflektimit të Papës ishte Leximi i Parë, në të cilin Shën Pali Apostull u mëson korintianëve rrugën për të pasur mendimin e Krishtit, mendim që mund ta kemi vetëm atëhere, kur ia hapim plotësisht Shpirtit Shenjt, rrugën e shpirtit tonë. Sepse është Shpirti Shenjt ai, që na ndihmon ta  njohim Krishtin, të kemi të njëjtat ndjesi, t’ia  kuptojmë Zemrën, “me zemër”.

Lufta e amshuar ndërmjet së mirës e së keqes

Njeriu, i lënë në mëshirën e forcave të veta, nuk mund t’i kuptojë punët e Shpirtit Shenjt” -  sqaroi Papa Bergoglio në homeli:

“Kemi dy shpirtëra, mendojmë në dy mënyra, ndjejmë në dy mënyra e edhe veprojmë në dy mënyra: njëra na çon drejt Shpirtit të Zotit, tjetra, drejt shpirtit të botës. Kjo ndodh në jetën tonë. Të gjithë i kemi këto ‘dy shpirtëra’, nëse mund t’i quajmë kështu. Shpirtin e Zotit, që na merr për dore, për të na çuar drejt veprave të mira, drejt bamirësisë, vëllazërimit, adhurimit të Zotit, njohjes së Jezusit, lutjes. Kështu njëri! Ndërsa shpirti tjetër, ai i botës, na çon drej kotësisë, mendjemadhësisë, vetëvlerësimit, shpërrallimeve; udhë krejt tjetër, kjo. Zemra jonë - thoshte një shenjt - është si ‘fushë mejdani’! Fushë beteje, ku luftojnë këta dy shpirtra”.

T’i mundim tundimet, si Jezusi

“Në jetën e krishterë”, pra, “duhet luftuar për t’i  bërë vendin e  duhur Shpirtit të Zotit e për ta dëbuar shpirtin e botës. Është një rrëmim i përditshëm i ndërgjegjes - kujtoi Papa - për t’i dalluar tundimet e për të kuptuar si veprojnë këto forca të kundërta.

“Është krejt e thjeshtë: kemi këtë dhanti të madhe, që është Shpirti i Zotit, por jemi edhe të brishtë, jemi mëkatarë e kemi tundimin e shpirtit të botës. Në këtë ndeshje shpirtërore, në këtë luftë të shpirtit, duhet të dalim fitmtarë, si Jezusi”.

Nuk jemi kafshë, po Bij të Zotit

Për gjithë natë - përfundoi Papa Françesku - i krishteri duhet ta rimendojë ditën e sapo perënduar, për të vërtetuar kush e fitoi betejën: fitoi kotësia e mendjemadhësia, apo përngjasimi me Birin e Zotit!

“Duhet ta dimë ç’ndodh në zemrën tonë. Nëse e bëjmë këtë, nëse e dimë ç’po ndodh në zemrën tonë - e këtë nuk po e them unë, e thotë Bibla - jemi si kafshët, që nuk kuptojnë gjë prej gjëje. Shkojnë përpara me instinkt! Po ne nuk jemi kafshë! Jemi Bij të Zotit, të pagëzuar me dhuratën e Shpirtit Shenjt. Prandaj ka rëndësi të kuptojmë ç’ndodh çdo ditë në zemrën tonë. Zoti na mësoftë ta bëjmë çdo muzg rrëmimin e ndërgjegjes!”.

 

04 shtator 2018, 14:08