Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: veprat nuk duhen ndotur nga hipokrizia e nga mendësia e botës

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa theksoi se Zoti na fton t’i shmangemi rrezikut, që na shtyn t’i japim më shumë rëndësi formës, sesa përmbajtjes dhe porositi ta praktikojmë bamirësinë për nevojtarët. Kujtoi edhe lumnimin, në Sllovaki, të Anna Kolesárova-s, virgjër e martire.

R. SH. - Vatikan

Të vigjilojmë, që mënyra jonë e mendimit dhe e veprimit “të mos ndotet nga mendësia e botës”, domethënë, nga kotësia, koprracia, fodullëku, por pa u mbyllur në vetvete e pa u shkëputur nga realiteti. Kjo, porosia e Papës Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot të kësaj së diele, në të cilën Ungjilli i Markut na nxiti të reflektojmë “për  vërtetësinë e bindjes sonë ndaj Fjalës së Zotit”, pikërisht duke iu kundërvënë “ndotjes nga mendësia e botës”, ose “nga formalizmi legalist”.

“Njeriu, që jeton i zhytur në kotësi, në koprraci, në mendjemadhësi e njëkohësisht beson a paraqitet si besimtar, madje arrin deri atje, sa t’i dënojë të tjerët, është hipokrit”.

Mos e shtrembëro vullnetin e Zotit, shiko përmbajtjen

Ungjilltari ndalet tek vërejtja, që i bëjnë skribët dhe farizenjtë Krishtit, sepse duan “ta sulmojnë besueshmërinë dhe autoritetin e Jezusit si Mësues”: ata kanë rënë në gabimin e shtrembërimit të vullnetit të Zotit, duke i lënë mënjanë Urdhërimet e Tij, për të respektuar traditat njerëzore. Ja pse reagimi i Jezusit është tejet i ashpër. E pse Zoti përdor kundër këtyre “mësuesve të besimit”, epitetin “hipokritë”, një nga më të fortët, që dëgjojmë të dalë nga goja e Krishtit në Ungjill: e përdor, sepse kështu vihet në lojë  e vërteta  e lidhjes së njeriut me Zotin, vërtetësia e vetë jetës fetare.

Hipokriti gënjen, nuk e thotë të vërtetën. Edhe sot Zoti na fton të largohemi nga ky rrezik e t’i japim rëndësi të dorës së parë përmbajtjes, jo formës, na fton përsëri e përsëri të pranojmë qendrën e përvojës së fesë. E zemra e fesë është “ta duash Zotin” e “ta duash edhe të afërmin”, duke e pastruar shpirtin nga hipokrizia e legalizmit dhe e ritualizmit.

Të praktikohet dashuria krishterë

Sot -  shtoi më pas Papa - në Leximin II na flet Shën Jaku apostull. Na flet e na thotë, me dy fjalë, si duhet të jetë feja e vërtetë, duke na nxitur "t’i vizitojmë vejushat e jetimët, që vuajnë e  të mos lejojmë të ndotemi nga kjo botë”.

“Të vizitosh jetimët e vejushat, do të thotë të praktikosh dashurinë e krishterë ndaj të afërmit, duke nisur nga më nevojtarët, më të brishtët, më të flakurit jashtë radhëve të shoqërisë. Janë njerëz, për të cilët vetë Zoti kujdeset në mënyrë të veçantë e na kërkon edhe ne të bëjë të njëjtën gjë”.

Ta pranojmë Fjalën e Zotit me zemër të hapur

Ta rrëmojmë ndërgjegjen tonë, për të parë si e presim Fjalën e Zotit. Të dielën e dëgjojmë në Meshë. Nëse e dëgjojmë pa vëmendje ose përciptas, pak na vlen. Sepse Fjala e Zotit duhet  pranuar me mendje e me zemër të hapur, si toka e mirë, në mënyrë që të bjerë si fara e të japë edhe fryte të begata në jetën konkrete. Jezusi na kujton se Fjala e Zotit është si gruri, farë, që duhet rritur në vepra konkrete. Kështu vetë Fjala na i pastron zemrën dhe veprat e lidhja jonë me Zotin e me të tjerët, çlirohet nga hipokrizia.

Pas kremtimit të lutjes mariane, Françesku kujtoi, së fundi, se dje, në Košice të  Sllovakisë, u shpall e Lume Anna Kolesárová, virgjër e martire. U vra më 1944, nga një ushtarak sovjetik, gjatë pushtimit vendit nga Armata e Kuqe. Pranoi vdekjen, po jo nënshtrimin  ndaj dëshirave të padenja  të atij, që deshi t’ia përzhurgte dinjitetin e t’ia rrëmbente pastrinë virgjërore. Është si Shën Maria Goretti - shtoi Papa - e si e Lumja Maria Tuci - do të shtonim ne.

Kjo vajzë guximtare - përfundoi Ati i Shenjtë - i ndihmoftë të rinjtë e krishterë  të jenë besnikë të patundur ndaj Ungjillit, edhe kur u duhet të shkojnë kundër rrymës e  ta paguajnë kundërvënien me jetë!”. Duke dhuruar jetë - për Jetën!

02 shtator 2018, 11:48