Kardinali Sandri në Ishullin e Shën Lazrit për armenët mekitaristë Kardinali Sandri në Ishullin e Shën Lazrit për armenët mekitaristë 

Papa, mekitaristëve: vijoni ta shndrisni jetën e popullit armen

Në përfundim të kremtimeve për 300-vjetorin e themelimit të Kongregatës armene Mekitariste, Papa Françesku u dërgon një letër, që u lexua në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, kremtuar në Ishullin e Shën Lazrit të Armenëve, në Venedik të Italisë.

R.SH. - Vatikan

Përvjetor, që është rast për ta falenderuar Zotin, i cili dikon hire e karizma për Kongregatën Armene Mekitariste. Kështu shkruan Papa Françesku, në një letër të datës 5 shtator, dërguar delegatit papnor të Kongregatës, imzot Boghos Levon Boghos Zékiyan, me rastin e 300-vjetorit të themelimit. Letra papnore u lexua dje, në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, kremtuar në Ishullin e Shën Lazrit të Armenëve, në Venedik të Italisë. I pranishëm, prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri.

Fe e jetuar deri në martirizim

         Në tekst, Ati i Shenjtë kujton se anëtarët e Kongregatës janë dalluar “për fenë e jetuar me besnikëri e, jo rrallë, edhe të dëshmuar heroikisht, nganjëherë, deri në flijimin më të lartë, deri në martirizim”. Duke përmendur figurën e Mekitarit, një nga reformatorët e mëdhenj të jetës murgare në Kishat Lindore, Papa vë në dukje kontributin e tij në krijimin e “sensus fidei” të popullit armen, një nga shprehjet më të ndritshme të përshpirtërisë dhe të kulturës së atij populli. Prandaj, Françesku e fton Kongregatën “ta ruajë, ta thellojë e ta mbrojë për të mirën e gjithë popullit armen”, “thesarin shpirtëror e kulturor”, që i përket prej kohësh.

17 shtator 2018, 14:40