Kërko

Papa takohet me pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare mbi “ksenofobinë, racizmin dhe nacionalizmin populist në kuadrin e emigracionit global" Papa takohet me pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare mbi “ksenofobinë, racizmin dhe nacionalizmin populist në kuadrin e emigracionit global" 

Papa: kush shfrytëzon emigrantët, do të përgjigjet para Zotit

Duke folur me pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare mbi “ksenofobinë, racizmin dhe nacionalizmin populist në kuadrin e emigracionit global”, Papa Françesku u bën thirrje të krishterëve të impenjohen kundër racizmit, sepse në të huajin, banon Zoti.

R.SH. - Vatikan

Nëse në Gjyqin e Mbramë, Zoti do të na kujtojë: “isha i huaj e nuk më pritët”, sot, na pyet: “jam i huaj e nuk më njihni?” Këto fjalë shkruhen në fjalimin e Papës Françesku për pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare mbi “ksenofobinë, racizmin dhe nacionalizmin populist në kuadrin e emigracionit global”, të cilët i priti sot në Vatikan. Ati i Shenjtë nuk e lexon fjalimin, por ua dorëzon rreth 200 vetëve të pranishëm, shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e organizatorëve të konferencës: Dikasteri vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor, Këshilli Botëror i Kishave dhe Këshilli Papnor për Bashkimin e të Krishterëve.

Të krishterët i shërbejnë Krishtit në të huajt

         “Të jesh i krishterë – shkruhet në fjalën e Papës, i cili preferoi të takonte një për një pjesëmarrësit, duke e konsideruar fjalimin si të lexuar – është thirrje për të shkuar kundër rrymës, duke e njohur, duke e pritur e duke i shërbyer vetë Krishtit, parë në vëllezërit e mënjanuar… I vetëdijshëm për shprehjet e shumta të afërsisë, të mikpritjes e të integrimit ndaj të huajve të ardhur tashmë, uroj që nga takimi i sapopërfunduar – thekson Papa – të lindin shumë nisma të tjera bashkëpunimi, që të ndërtojmë së bashku shoqëri më të drejta e më solidare”.

Kthimi i përbuzjes për të tjerët

         Ati i Shenjtë pranon se kohët nuk janë të lehta për emigrantët. Po përhapen sërish ndjenjat e racizmit, të dyshimit, të frikës e madje edhe të urrejtjes, që “tepër shpesh frymëzojnë akte të vërteta intolerance, diskriminimi e përjashtimi nga shoqëria”. “Fatkeqësisht – shkruan – ndodh që në botën politike të instrumentalizohen frika dhe vështirësitë objektive të disa grupeve e të bëhen premtime iluzore për interesa dritëshkurtra zgjedhore”.

Kush shfrytëzon emigrantët e paligjshëm përgjigjet para Zotit

         Pastaj, përfundon Papa Françesku, “ata, që përfitojnë ekonomikisht nga atmosfera e mosbesimit ndaj të huajve, në të cilën parregullsitë, ose mungesa e lejes së qëndrimit favorizon e ushqen një sistem shfrytëzimi – nganjëherë në nivele sa të krijojë forma të vërteta skllavërie – duhet ta shqyrtojnë mirë ndërgjegjen, me vetëdijen se një ditë do të japin përgjigje para Zotit për gjithçka kanë bërë”.

20 shtator 2018, 13:13