Veronika Antal Veronika Antal 

Papa kujton të Lumen e re rumune, martire më 1958

Papa Françesku njofton lumnimin e laikes rumune Veronica Antal, vrarë në odium fidei në vitin 1958.

R.SH. - Vatikan

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujton se “më 22 shkurt, në Neamp të Rumanisë, do të lumnohet Veronika Antal, besimtare laike e Urdhërit Françeskan Shekullar, vrarë ‘in odium fidei’, më 1958”. “Falënderojmë Zotin për këtë grua të guximshme, që, duke dhuruar jetën, dëshmoi dashurinë e vërtetë për Hyjin dhe vëllezërit”, shton Ati i Shenjtë.

Kush është Veronika Antal

         Veronika Antal u lind në fshatin Nisiporeshti, më 7 dhjetor 1935, në një familje fshatarësh. U edukua në fe nga gjyshja, Zarafina. Do të kishte dashur të bëhej murgeshë françeskane, por regjimi komunist, që nga viti 1948, i mbylli të gjitha institucionet fetare. Në moshën 15-vjeçare u bë terciare françeskane, duke marrë pjesë edhe në Milicinë e Zojës së Papërlyer. Privatisht, në po atë periudhë, bëri kushtin e pastrisë. Mbrëmjen e 24 gushtit 1958 kthehej nga famullia e Halauçeshtit për në shtëpi, kur një i ri, Pavel Mokanu, e ngacmoi, duke u përpjekur ta tërheqë pas vetes. Prej kohësh, donte t’i bënte keq ndonjë “murgeshe”, siç quheshin me përbuzje Veronika dhe shoqet e saj. Vajza u mbrojt, por djali e tërhoqi rrëshqanë deri në një fushë me misra dhe aty, duke mos mundur t’ia arrinte qëllimit, i ra me thikë 42 herë. Trupi pa jetë i martires 23-vjeçare të pastrisë dhe të fesë u gjet të nesërmen: në dorën e majtë kishte rruzaren, të cilën e thoshte gjithnjë ndërsa kthehej në shtëpi. Procesi për lumnimin e saj mundi të hapej vetëm pas rënies së regjimit komunist.

19 shtator 2018, 12:34