Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa e lavoratori Papa e lavoratori 

Papa gazetës Il Sole 24 Ore: paraja e vërtetë bëhet me punë që krijon dinjitet dhe vende pune

Vetëm synimi dhe ndjekja e fitimit nuk garanton më jetën e një ndërmarrje a të një kompanie: kemi nevojë për formimin me vlera dhe sipas një etike që e mbështet njeriun. Paraja e vërtetë bëhet me punë që krijon dinjitet dhe vende të reja pune. Kështu pohon mes tjerash Papa Françesku në një intervistë botuar sot nga gazeta italiane Il Sole 24 Ore.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku në një intervistë botuar sot në gazetën italiane Il Sole 24 Ore, flet për një ekonomi që "vret" atëherë kur njeriu nuk vendoset më në qendër të dinamikës së saj. Vetëm synimi, vetëm ndjekja e fitimit nuk garanton më jetën e një ndërmarrje a të një kompanie: kemi nevojë për një formim sipas vlerave dhe një etikë, që e mbështet njeriun, pohon mes tjerash Ati i Shenjtë, Bergoglio.

Menaxhimi i ekonomisë dhe i financave, krijimi i punës së re, respektimi i mjedisit, pritja e emigrantëve: të gjitha kalojnë përmes një etike, që është "mike e personit". Kemi nevojë për një shtytje të fortë drejt konvertimit të saj. Ky, pra, thënë me pak fjalë, reflektimi i Papës Françesku, në intervistën dhënë së përditshmes ekonomike italiane "Il Sole 24 Ore", botuar sot më 7 shtator.

"Pas çdo aktiviteti ekziston njeriu. Centraliteti aktual i veprimtarisë financiare, në krahasim me ekonominë reale, nuk është i rastit: pas tij qëndron vendimi i dikujt që mendon, gabimisht, se paraja bëhet me para. Paratë, ato të vërtetat, bëhen me punë. Është puna ajo, që i jep dinjitet njeriut, jo paraja ". Papa Françesku e përforcon kështu, mesazhin global të baritorisë së tij ekonomike dhe shoqërore në intervistën e parë, që është dhënë ndonjëherë nga një Papë për një gazetë ekonomiko-financiare. Intervista e së përditshmes italiane "Il Sole 24 Ore", botuar sot më 7 shtator, është realizuar e nënshkruar nga Guido Gentili, drejtor i "Il Sole 24 Ore", Radio 24 dhe RadiocorPlus.

Papa Françesku flet për punën, si e vetmja mënyrë për t'i dhënë "dinjitet njeriut", i cili nuk e fiton atë përmes parasë. "Papunësia, që prek vendet e ndryshme evropiane, është pasojë e një sistemi ekonomik, i cili nuk është më i aftë të krijojë punë, sepse ka vënë në qendër një idhull, i cili quhet para".

Papa Bergoglio pohon se puna dhe krijimtaria gjeniale janë bazë për rivendosjen e një rendi të ri ekonomik, për një ekonomi të drejtë, që "nuk është kurrë e shkëputur nga çka prodhohet, prandaj veprimtaria ekonomike është gjithmonë edhe fakt etik", i frymëzuar nga vlerat e njerëzimit, për të mposhtur kulturën e refuzimit. "Ata që përjashtohen, nuk shfrytëzohen, por refuzohen krejtësisht, çka do të thotë se konsiderohen mbeturina, tepricë dhe kështu më pas mënjanohen, dëbohen nga shoqëria. Nuk mund ta injorojmë faktin se një ekonomi, që është strukturuar në këtë mënyrë, vret, sepse e anashkalon njeriun dhe vë në qendër e u bindet vetëm parave".

Çfarë i bën mirë ndërmarrjes a kompanisë? "Të veprosh mirë, duke respektuar dinjitetin e njerëzve - vëren Papa Bergoglio - dhe duke ndjekur të mirën e përbashkët e ndihmon, pra i bën mirë edhe ndërmarrjes. Ekziston gjithmonë një lidhje e ngushtë midis veprimtarisë së njeriut dhe ndërmarrjes, veprimtarisë së njeriut dhe të ardhmes së një biznesi".

07 shtator 2018, 08:00