Kërko

ITALY-VATICAN-SICILY-POPE-PUGLISI-ANNIVERSARY ITALY-VATICAN-SICILY-POPE-PUGLISI-ANNIVERSARY 

Mesha në Palermo, Papa Françesku: nuk mund të besosh në Zotin e të jesh mafioz

Papa kremton Meshën për meshtarin e vrarë nga mafia, të Lumin dom Pino., dhe u drejtoi një qortim mafiozёve tё heqin dorё nga veprimet e dhunshme: "Mjaft, mos mendoni për veten dhe paratë tuaja, kthehuni kah Zoti i vërtetë i Jezu Krishtit".

R.SH. - Vatikan

Homelia e Meshës  së Papës Bergoglio, kushtuar të lumit don Pino Puglisi, në 25-vjetorin e vrasjes së tij nga mafiozët, nuk mund të mos ishte një thirrje kundër kriminalitetit të organizuar. Në vazhdën e thirrjeve të papëve të mëparshëm, sidomos të asaj të shën Gjon Palit II, edhe Papa Françesku e ngriti zërin, sot paradite, në Foro Italico-n e Palermos, së mbushur plot.

E gjatë kremtimit solemn tё Meshёs, nё tё cilёn, sipas autoriteteve lokale, morën pjesë mbi 100.000 besimtarë,  ditën e vizitës në Sicili, nё përkujtimin liturgjik tё tё Lumit dom Pino Puglisi,  vrarë nga mafia, Papa Françesku i qortoi mafiozёt tё heqin dorё nga veprimet kriminale dhe bindjet e tyre:

"Mjaft, heqni dorё e mos mendoni për veten tuaj dhe paratë tuaja, kthehuni kah Zoti i vërtetë i Jezu Krishtit" . “Kushdo e urren vëllain e vet dhe thotë se e do Zotin, është gënjeshtar "sepse e përgënjeshtron fenë e tij qё thotë se ka, fe që rrëfen e beson nё Zotin-dashuri".

Duke u nisur nga këto fjalë, të shqiptuara në predikimin e tij gjatë Meshës në Foro Italico, nё përkujtimin liturgjik tё tё Lumit dom Pino Puglisi, Papa Françesku ripohoi dënimin e tij të fuqishme të mafies. "Fjala urrejtje - tha Papa posa mbërriti në Palermo pas transferimit me helikopter nga Piazza Armerina - duhet të fshihet nga jeta e krishterë". "Nuk mund të besosh në Zotin dhe të dhunosh e përbuzësh vëllain tёnd":

Nuk mund të besosh në Zotin e të jesh mafioz. Kush është mafioz nuk jeton si i krishterë, sepse blasfemon me jetën e vet kundër emrit të Zotit-dashuri… Prandaj, mafiozëve u them: ndryshoni! Mos mendoni më për veten tuaj e për paratë, kthehuni kah Zoti i vërtetë i Jezu Krishtit! Përndryshe, vetë jeta juaj do të humbet e ky do të jetë më i keqi i dështimeve”.

Don Pino Puglisi transmetonte forcën e Zotit me buzëqeshje

Jeta e don Pino Puglisit, që u shua duke u shërbyer të rinjve, ishte frymëzimi i Papës në homelinë e meshës, ndërtuar mbi binomin fitore-dështim, dashuri-egoizëm: fitore si ajo e Krishtit mbi kryq, pavarësisht se duket si dështim, pasi e humbi jetën. “25 vjet më parë, si sot, kur vdiq në ditën e lindjes, [don Pino] e kurorëzoi fitoren e vet me buzëqeshje, me atë buzëqeshje, që nuk e la të flinte natën vrasësin e tij, që tha: ‘kishte një lloj drite në atë buzëqeshje’. …transmetonte forcën e Zotit: jo rreze verbuese, por dritë e butë, që depërton thellë dhe shndrit zemrën. Është drita e dashurisë, e dhuratës, e shërbimit”. Sipas Papës, drita, për të cilën kanë nevojë të krishterët e sotëm, që bota u propozon pushtetin e parasë, egoizmin e mbylljen në mirëqënien personale.

Pushteti i parasë skllavëron

Por është pushtet, që skllavëron e nuk çliron. As Zoti, nënvizoi Papa, nuk ushtron pushtet për të zgjidhur problemet tona e të botës. Udha e Tij është ajo e dashurisë së përvuajtur: vetëm dashuria të çliron nga brenda, të jep paqe e gëzim. “Prandaj,  - vijoi Papa - pushteti i vërtetë, pushteti sipas Zotit, është shërbimi. Zëri më i fortë nuk është i atij, që bërtet më shumë, por është lutja. E suksesi më i madh nuk është fama, por dëshmia”.

“Don Pino na e mëson këtë: nuk jetonte për t’u dukur, nuk jetonte me thirrje kundër mafies, e as nuk kënaqej duke mos bërë keq, por mbillte të mirën, shumë të mira. E tija dukej logjikë dështuese, ndërsa dukej si fitimtare logjika e portafolit. Por, atë Pino kishte të drejtë: logjika e zotit-para është dështuese”.

Papa Françesku e përfundoi homelinë duke u kërkuar të gjithëve të fillojnë të bëjnë diçka për Kishën e shoqërinë, pa pritur që të jetë Kisha apo shoqëria që të bëjë diçka për ta. Ky është i vetmi populizëm i pranueshëm për të krishterët: shërbimi, pa britma, pa akuza e pa tërhequr vëmendjen mbi vetveten.

15 shtator 2018, 12:52