Në Palermo pritet Papa Françesku Në Palermo pritet Papa Françesku 

Papa në Palermo: në letrën e laikëve dhe të meshtarëve, besim për Atin e Shenjtë

Në një letër, që i kanë çuar Papës Françesku një grup priftërinjsh, laikësh dhe shoqatash, me rastin e vizitës së tij në Palermo, për 25-vjetorin e martirizimit të don Pino Puglisi-t, vrarë nga mafia, shprehet besimi dhe mbështetja e plotë për Atin e Shenjtë, që do të shkojë nesër në Sicili.

R.SH. - Vatikan

“Nëse secili bën diçka, atëherë mund të bëhet shumë, kështu i nxiste të rinjtë i Lumi Pino Puglisi”. Kjo është një nga frazat e letrës së gjatë, që i kanë çuar Papës Françesku një grup priftërinjsh, laikësh dhe shoqatash, me rastin e vizitës së tij në Palermo, për 25-vjetorin e martirizimit të “atë Pinos”, siç e quanin me dashuri meshtarin e vrarë nga mafia në lagjen Brancaccio të kryeqendrës siçiliane.

Problemet: puna, gjendja e gruas, emigracioni…

         “Ju konfirmojmë – shkruhet në letër – besimin dhe mbështetjen tonë të plotë, sepse qëndrimet dhe sjelljet pa dyshim jo ungjillore, brenda e jashtë Kishës, synojnë ta godasin personin Tuaj, për të ndalur udhën e risimit konciliar, që duhet të përshkojë Kisha në kohën tonë”. Nënshkruesit e letrës për Papën trajtojnë tema të ndryshme si: mungesa e punës për rininë; “gjendja e gruas, e cila, pavarësisht nga deklaratat parimore, nuk e ka akoma mundësinë të integrohet plotësisht në jetën kishtare”; situata e “emigrantëve, shumica të rinj edhe ata, që ikin shpesh nga gjendje të dëshpëruara për të trokitur në portat e Evropës. Edhe sot e kësaj dite flasim për ta si për një problem/emergjencë dhe i konsiderojmë si konkurrentë, për shkak të burimeve të pakta në dispozicion të territoreve tona. Në të vërtetë – vijon letra – akoma nuk jemi gati për mundësinë që kjo prani të bëhet, e qeverisur si duhet, një shans për zhvillimin e vetë Evropës”.

Don Pino Puglisi, model humaniteti

         “Jemi një mendje –shtojnë nënshkruesit e letrës për Atin e Shenjtë – me vendimin e fundit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane në favor të emigrantëve të anijes Diciotti dhe urojmë gjeste të mëtejshme në këtë drejtim”.

         “Ju, i dashur Papa Françesku, na inkurajoni – përfundojnë siçilianët – por don Puglisi mund të jetë edhe model humaniteti për njerëzit, që kanë në zemër ndjenjën e thellë se jemi në këtë botë si jetë e dhuruar për dashuri”.

14 shtator 2018, 11:04