Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media )

Papa Françesku: nderoni prindërit, mos i fyeni kurrë

“Ndero nënën e babën”. Urdhërimi i katërt i Tënzot, sot, në qendër të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa Françesku vijon katekizmin mbi Dekalogun.

R.SH. - Vatikan

Për të qenë të lumtur në jetë, duhen nderuar prindërit. Është udha, që përvijon sot paradite, Papa Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Reflektimi i tij përqendrohet në urdhërimin e katërt të Tënzot: “Nderoje babën e nënën”. Urdhërim, që premton edhe jetë të gjatë, pasi bashkë me kërkesën për të nderuar prindërit shton edhe “në daç të jetosh shumë përmbi dhe”. E Papa vë në dukje edhe pse duhet t’i duam prindërit:

         Ndero prindërit: epo, na kanë dhënë jetën! Nëse je larguar nga prindërit, bëj një përpjekje e kthehu, kthehu tek ata, ndoshta, janë pleq tani… Të kanë dhënë jetën. E pastaj, ndërmjet nesh e kemi zakon të themi sharje të shëmtuara, edhe fjalë të ndyra. Ju lutem, kurrë, kurrë, mos i fyeni prindërit e të tjerëve. Kurrë! Kurrë, nuk fyhet nëna; kurrë, nuk fyhet babai. Kurrë! Kurrë! Merreni këtë vendim brenda jush. Që sot e kësaj dite nuk do të them më kurrë fjalë të ndyra për nënën a babain e tjetërkujt. I kanë dhënë jetën! Nuk duhet të fyhen.

Nderimi i prindërve ta lumturon jetën

         Gjurmët e fëmijërisë, vijon Papa, përcaktojnë gjithë jetën, si të ishin vulosur me “bojë të pashlyeshme”, që përvijojnë shijet dhe sjelljet. Është fjala për “dije shumëshekullore”, që shkencat njerëzore i kanë kuptuar vetëm në pak më shumë se një shekull. Vërtet, shpesh, është e lehtë të kuptohet kush është rritur në një ambient të shëndetshëm e të ekuilibruar, ose kush vjen nga përvoja e “braktisjes dhe e dhunës”. Por, vëren Papa, urdhërimi i katërt i Tënzot nuk kërkon që prindërit të jenë të përsosur, pasi premtimi i lumturisë në jetë varet nga sjellja e bijve, pavarësisht se si kanë qenë prindërit, të cilët i kanë sjellë në këtë botë:

          Flet për një akt të bijve, pavarësisht nga meritat e prindërve e, thotë diçka të jashtëzakonshme e çliruese: edhe nëse jo të gjithë prindërit janë të mirë e jo të gjitha fëmijëritë janë të qeta, të gjithë fëmijët mund të jenë të lumtur, sepse arritja e një jete të plotë e të lumtur varet nga mirënjohja e duhur ndaj atyre, që na kanë sjellë në botë.

Shembulli i shenjtorëve

         Papa jep shembullin e shenjtorëve, që kanë kaluar fëmijëri të dhimbshme, por kanë kaluar gjithsesi, një jetë të ndritshme, sepse “falë Krishtit, janë pajtuar me jetën”. Ati i Shenjtë përmend të Lumin Suplicio, që do të shpallet shenjt muajin e ardhshëm. Vdiq i ri, “i pajtuar me dhimbjet e shumta”, pa i mohuar kurrë prindërit e vet. E akoma, shën Kamili de Lelis, i cili “nga një fëmijëri e çrregullt, ndërtoi një jetë dashurie e shërbimi” për të tjerët; po kështu, edhe shën Jozefina Bakita, rritur nën një skllavëri të tmerrshme, por edhe i Lumi Karlo Njoki, “jetim e i varfër” e deri tek shën Gjon Pali II, i cili mbeti pa nënë në moshë të re.

Nga plagët, tek mundësitë

         Vërtet, Zoti na bën të rilindim nga lart dhe “enigmat e jetës sonë shndriten, kur zbulojmë se gjithnjë, Zoti na përgatit për një jetë, në të cilën jemi bij të Tij, ku çdo akt është mision, marrë prej Tij”:

         Plagët tona fillojnë të bëhen mundësi, kur, për hirin e Tënzot, zbulojmë se enigma e vërtetë nuk është më “pse?”, por “për kë?” më ndodhi kjo gjë. Për ç’vepër, Hyji më ka përfocuar gjatë historisë sime personale? Këtu, gjithçka përmbyset, gjithçka bëhet e çmuar, gjithçka bëhet konstruktive. Përvoja ime, megjithëse e trishtuar dhe e dhimbshme, në dritën e dahurisë, bëhet për të tjerët – “për kë” – burim i shëndetshëm. Atëherë, mund të fillojmë të nderojmë prindërit me lirinë e bijve të rritur e me mëshirën për t’i pranuar me gjithë kufizimet e tyre.

19 shtator 2018, 11:24